Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv – nuk ka shtetësi amerikane përmes lindjes së fëmijëve

Bota

Presidenti amerikan, Donald Trump po përpiqet sërish të kufizojë dhënien e shtetësisë sipas lindjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), vetëm disa javë pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë përpjekjen e tij të mëparshme për ta shfuqizuar këtë të drejtë. Trump dje nënshkroi dy urdhra ekzekutivë, përfshirë një që zgjeron kategoritë e personave joqytetarë, fëmijët […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti amerikan, Donald Trump po përpiqet sërish të kufizojë dhënien e shtetësisë sipas lindjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), vetëm disa javë pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë përpjekjen e tij të mëparshme për ta shfuqizuar këtë të drejtë.

Trump dje nënshkroi dy urdhra ekzekutivë, përfshirë një që zgjeron kategoritë e personave joqytetarë, fëmijët e të cilëve nuk do të kenë të drejtë të marrin shtetësi amerikane në bazë të lindjes.

Urdhri i dytë ndalon të ashtuquajturin “turizëm të lindjes”, praktikë në të cilën gratë shtatzëna udhëtojnë në SHBA për të lindur, me qëllim që foshnjat e tyre të fitojnë shtetësinë amerikane, shkruan bbc.

“Kjo duhej të kishte ndodhur shumë vite më parë, por tani po merremi me këtë çështje”, deklaroi Trump, duke kritikuar vendimin e Gjykatës Supreme që ndaloi përpjekjen e tij të mëparshme për t’i dhënë fund kësaj politike 150-vjeçare.

Sipas urdhrit të ri, shtetësia automatike nuk do t’u jepet foshnjave të lindura në SHBA nga dy prindër që nuk janë shtetas amerikanë, nëse njëri prej prindërve është: anëtar i një organizate të huaj terroriste, zyrtar i një qeverie të huaj, ka tentuar të marrë shtetësinë me mashtrim ose banon në territore të SHBA-së ku shtetësia nuk garantohet me ligj federal.

Shtetësia sipas lindjes për personat e lindur në territore amerikane, si Porto Riko, është e përcaktuar me ligj federal.

Trump dhe anëtarë të administratës së tij e kanë kritikuar vazhdimisht “turizmin e lindjes”, duke pretenduar se kundërshtarë të SHBA-së, përfshirë shtetas rusë dhe kinezë, e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë për të depërtuar në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë prezantimit të urdhrave ekzekutivë në Zyrën Ovale të enjten, lideri amerikan deklaroi se qindra mijëra foshnja kanë lindur në SHBA si rezultat i turizmit të lindjes.

Instituti për Politikat e Migracionit, një organizatë kërkimore jopartiake, vlerëson se, bazuar në analizën më gjithëpërfshirëse të regjistrimit të popullsisë, çdo vit në SHBA lindin rreth 22-26 mijë foshnja si rezultat i kësaj praktike. Sipas institutit, të dhënat qeveritare tregojnë se në vitin 2024 janë regjistruar 9600 lindje nga nëna me adresa të huaja. /Telegrafi/