Trepça ka shënuar fitoren e dytë radhazi në FIBA Europe Cup, pasi mposhti skuadrën çeke Opava me rezultat 89-80, në ndeshjen e zhvilluar në Mitrovicë.
“Xehetarët” e nisën takimin më mirë, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 17-16, ndërsa mysafirët reaguan në të dytin, të cilin e fituan 23-21.

Megjithatë, skuadra mitrovicase e mori sërish kontrollin e lojës pas pushimit, duke fituar çerekun e tretë 27-22 dhe atë të fundit 22-19, për ta siguruar një tjetër triumf në garat evropiane.
Jacori Payne dhe Shawn Jones ishin më efikasët te Trepça, me nga 19 pikë secili. Kontribut të rëndësishëm dha edhe James Graham, i cili realizoi 14 pikë, përfshirë katër gjuajtje të sakta për tri pikë nga pesë tentime.
Në anën tjetër, Jakub Slavik ishte më i dalluari te skuadra çeke, me 15 pikë të shënuara.
Pas tri ndeshjeve në fazën grupore, Trepça ka regjistruar dy fitore dhe një humbje, duke u renditur në vendin e tretë në grupin me gjashtë skuadra.
Në ndeshjen e ardhshme, mitrovicasit do të udhëtojnë drejt Gjeorgjisë, ku do të përballen me Batumin, me synimin për ta vazhduar serinë e rezultateve pozitive në Evropë. /Telegrafi/