Ferran Torres ka reaguar pas debutimit të tij special me Paris Saint-Germain, ku sulmuesi spanjoll shënoi dy gola në paraqitjen e parë me klubin francez.
Torres, i cili iu bashkua PSG-së nga Barcelona, e nisi ndeshjen nga banka rezervë, por sapo u aktivizua la gjurmë të menjëhershme.
Të dy golat e tij u asistuan nga bashkëlojtari i ri, Fabian Ruiz. Për paraqitjen e tij, Torres u shpall edhe lojtari i ndeshjes.
“Fusha ishte e vështirë. Ishte një ndeshje e komplikuar dhe nuk jemi të kënaqur, sepse donim të fitonim, por është e rëndësishme të largoheshim me një pikë”, deklaroi Torres për “Ligue 1+”.
“Ishte diçka e veçantë të luaja ndeshjen time të parë përpara tifozëve parisienë dhe do të jetë edhe më speciale kur të luajmë në ‘Parc des Princes’”.
I pyetur për bashkëpunimin me Fabian Ruiz, Torres kishte një përgjigje të thjeshtë.
“Me cilësinë që ka Fabian, ne thjesht duhet të vrapojmë dhe ta dërgojmë topin në rrjetë”, u shpreh ai.
Torres gjithashtu vlerësoi atmosferën brenda skuadrës së re, duke theksuar se është ndier menjëherë i mirëpritur.
“Është një grup fantastik. E dija këtë edhe para se të vija këtu. Ka vetëm njerëz të mirë dhe lojtarë të mëdhenj çdo ditë, të cilët më kanë ndihmuar të ndihem si në shtëpinë time”, përfundoi Torres. /Telegrafi/






