Policia në Lancashire po heton një incident të ndodhur gjatë transmetimit të emisionit “Strictly Come Dancing”, versioni britanik i “Dancing with the Stars”, pasi nga publiku në Blackpool u dëgjuan tinguj me përmbajtje të papërshtatshme.
Pas rastit, BBC u ka kërkuar falje shikuesve.
Tingujt e pazakontë ndërprenë transmetimin në BBC One, nga salla e vallëzimit Blackpool Tower Ballroom, teksa juria po komentonte performancën e çiftit të parë të mbrëmjes, këngëtares australiane Delta Goodrem dhe partnerit të saj të vallëzimit, Kai Widdrington.
Who would have done this! 🤣Sex noise at strictly come dancing https://t.co/CXEvzlCf5r
— Jarvo69 (Daniel Jarvis) (@BMWjarvo) November 21, 2026

Anëtarja e jurisë, Motsi Mabuse, e cila në atë moment po jepte vlerësimin për performancën, ndaloi së foluri pasi dëgjoi tingujt që vinin nga pas saj.
Më pas ajo reagoi duke thënë: “Nuk isha unë”.
Daniel Jarvis, krijues i përmbajtjeve i njohur si Jarvo69, e transmetoi ndërhyrjen drejtpërdrejt në rrjetet sociale.
Ai kishte pretenduar më herët se qëndronte pas incidentit të vitit 2023, kur emisioni “Match of the Day” u ndërpre nga një tingull eksplicit.
Sipas agjencisë PA, Jarvis kishte planifikuar që shaka të bëhej në momentin kur në ekran të shfaqej anëtari i jurisë Craig Revel Horwood. Kur ky i fundit u shfaq, ai tha: “Kjo është për të gjithë njerëzit që vazhdimisht i ngacmon”.
Megjithatë, tingulli u dëgjua me vonesë, pikërisht kur po fliste Mabuse. Jarvis tentoi ta aktivizonte edhe një herë, por telefonata nuk u realizua.
Policia në Lancashire bëri të ditur se është në dijeni të incidentit të ndodhur gjatë xhirimeve të emisionit në Blackpool.
“Jemi kontaktuar nga organizatorët e ngjarjes dhe kemi pranuar një raportim zyrtar.
Një telefon celular është sekuestruar dhe aktualisht po hetojmë nëse është kryer ndonjë vepër penale”, thuhet në deklaratën e policisë.
Në fund të emisionit, moderatorja Emma Willis u kërkoi falje shikuesve për ‘problemet me audion’.
Edhe BBC shprehu keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të jenë ndier të fyer nga transmetimi, duke bërë të ditur se po heton rrethanat e incidentit. /Telegrafi/





