Barcelona e zbulon në Champions pasardhësin e mundshëm të Yamalit, investoi 8.5 milionë euro për talentin belg

Sport

Barcelona po vazhdon të investojë te talentët e rinj dhe një prej basteve më të mëdha të klubit për të ardhmen e repartit ofensiv është Jesse Bisiwu. Sulmuesi 18-vjeçar belg ka marrë ftesën e parë nga trajneri Hansi Flick për ekipin e parë dhe është përfshirë në listën e futbollistëve që do të udhëtojnë drejt […]

Madhësia e shkronjave

Barcelona po vazhdon të investojë te talentët e rinj dhe një prej basteve më të mëdha të klubit për të ardhmen e repartit ofensiv është Jesse Bisiwu.

Sulmuesi 18-vjeçar belg ka marrë ftesën e parë nga trajneri Hansi Flick për ekipin e parë dhe është përfshirë në listën e futbollistëve që do të udhëtojnë drejt Azerbajxhanit për ndeshjen ndaj Sabahut, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Përfshirja e tij në skuadër vjen në një moment kur Barcelona ka disa mungesa të rëndësishme, përfshirë edhe Lamine Yamal, i cili ka probleme me kyçin e këmbës së djathtë dhe do të mungojë në këtë takim si masë paraprake.

Bisiwu iu bashkua Barcelonës gjatë verës së kaluar nga Club Brugge, për shumën prej 8.5 milionë eurosh. Ai konsiderohet një investim i rëndësishëm për të ardhmen e klubit katalunas dhe ka kontratë deri në qershor të vitit 2031.

Rrugëtimi deri te Barcelona

Karrierën e nisi në vitin 2014 te KU Leuven, ku qëndroi deri në vitin 2020, përpara se të kalonte te Club Brugge.

Në vitin 2023, në moshën 15-vjeçare, filloi të luante për ekipin rezervë të klubit belg, Club NXT, me të cilin regjistroi 36 paraqitje në kategorinë e dytë të futbollit belg.

Reprezentuesi belg në grupmoshat e reja ka kaluar nëpër të gjitha ekipet zinxhir të vendit të tij. Ai u dallua veçanërisht në Kampionatin Evropian U17, ku u përfshi në formacionin më të mirë të turneut.

Shpejtësia dhe driblimet, armët e tij kryesore

Bisiwu mund të luajë në të dy krahët e sulmit, ndërsa karakterizohet nga shpejtësia, driblimet dhe aftësia për të fituar duelet një kundër një. Ai luan me këmbën e djathtë dhe mund të krijojë rrezik edhe në hapësira të ngushta.

Që nga transferimi në Barcelonë, ai është aktivizuar me Barça Atlètic, ku ka zhvilluar tetë ndeshje në kategorinë e dytë spanjolle, të gjitha si titullar, duke regjistruar edhe një asistim.

Trajneri Hansi Flick e ka ndjekur nga afër zhvillimin e tij dhe i ka dhënë mundësi të stërvitet edhe me ekipin e parë. Gjatë fazës përgatitore, Bisiwu la përshtypje të mira, veçanërisht me dy golat e shënuar në ndeshjen ndaj Baselit.

Sipas Marca-s, cilësitë e tij në shpejtësi, driblim, depërtim dhe përballje me mbrojtësit kanë bindur stafin teknik që t’i japë mundësinë e parë në ekipin senior.

Mungesat në skuadrën e Barcelonës

Përveç Yamalit, në Barcelonë do të mbeten edhe futbollistët e lënduar Rodri, Xavi Espart, Andreas Christensen, Hamza Abdelkarim dhe Roony Bardghji.

Kështu, udhëtimi në Azerbajxhan mund të shënojë një moment të rëndësishëm në karrierën e Bisiwut, i cili synon të shfrytëzojë rastin për të fituar besimin e Flickut dhe për t’u afruar gradualisht me ekipin e parë të Barcelonës. /Telegrafi/

– YouTube www.youtube.com