Tërmetet me magnitudë 7.5 nuk janë aq të rralla – pse në Venezuelë ishte kaq shkatërrues?

Bota

Tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën kanë shkaktuar pasoja të rënda, me të paktën 164 persona të konfirmuar të vdekur, 971 të plagosur dhe mijëra të tjerë të raportuar të zhdukur. Autoritetet dhe ekipet e emergjencës po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa përmasat e dëmeve vazhdojnë të vlerësohen. Dy lëkundje të forta goditën veriun e […]

Madhësia e shkronjave

Tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën kanë shkaktuar pasoja të rënda, me të paktën 164 persona të konfirmuar të vdekur, 971 të plagosur dhe mijëra të tjerë të raportuar të zhdukur.

Autoritetet dhe ekipet e emergjencës po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa përmasat e dëmeve vazhdojnë të vlerësohen.

Dy lëkundje të forta goditën veriun e Venezuelës gjatë natës. Tërmeti i parë kishte magnitudë 7.2, ndërsa i dyti arriti 7.5 ballë, duke shkaktuar dëme të mëdha në zona të banuara.

Ekspertët shpjegojnë se tërmete të tilla, edhe pse të rralla, nuk janë të jashtëzakonshme. Lëkundjet me magnitudë nga 7.0 deri në 7.9 mund të shkaktojnë dëme serioze në qytete, ndërsa ato mbi 8.0 mund të shkatërrojnë zona të tëra urbane.

Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, që nga viti 2024 janë regjistruar 11 tërmete me magnitudë mbi 7.5 në mbarë botën. Megjithatë, jo të gjitha kanë shkaktuar pasoja të krahasueshme me ato në Venezuelë, shkruan skynews.

Një nga arsyet kryesore të numrit të madh të viktimave lidhet me vendndodhjen e tërmeteve. Lëkundjet goditën zonat më të populluara të vendit, përfshirë kryeqytetin Karakas, ku jetojnë më shumë se dy milionë banorë, si dhe shtetin bregdetar La Guaira, me rreth 380 mijë banorë.

Goditja e drejtpërdrejtë ndaj zonave urbane ka rritur dëmet jo vetëm në ndërtesa, por edhe në infrastrukturën publike, përfshirë rrugë dhe ura.

Në raste të tjera, tërmete edhe më të fuqishme kanë shkaktuar më pak pasoja për shkak se kanë ndodhur në zona të pabanuara. Një tërmet me magnitudë 8.8 që goditi vitin e kaluar Gadishullin Kamçatka në Rusi ishte ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë, por nuk shkaktoi viktima të drejtpërdrejta.

Një faktor tjetër që ndikoi në shkatërrimin në Venezuelë ishte thellësia e vogël e lëkundjeve. Tërmeti i dytë ndodhi vetëm rreth 10 kilometra nën sipërfaqen e Tokës, duke bërë që energjia e tij të ndihej më fuqishëm në sipërfaqe.

Ekspertët theksojnë se kombinimi i magnitudës së lartë, afërsisë me zonat e banuara dhe thellësisë së cekët e ka kthyer këtë ngjarje në një nga fatkeqësitë më të rënda sizmike të viteve të fundit në rajon. /Telegrafi/