Studiuesi francez Serge Métais ka deklaruar se shërbimet sekrete ruse nisën një operacion manipulimi ndaj Evropës pothuajse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, me synimin për të thelluar përçarjet mes shteteve evropiane lidhur me shtetin e ri.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, e cila do të botohet e plotë më vonë, Métais ka folur për atë që e konsideron manipulim të shërbimeve sekrete ruse përmes raportit të ish-senatorit zviceran Dick Marty, si dhe për rolin e ish-kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte.
Sipas studiuesit francez, operacioni kishte për qëllim që çështja e Kosovës të mbetej burim përçarjeje në Evropë, duke shfrytëzuar institucionet evropiane për të vënë në pikëpyetje moralisht udhëheqjen e shtetit të saposhpallur.
“Manipulimi i shërbimeve sekrete ruse nisi pothuajse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai drejtohej kundër evropianëve, të cilët asokohe ishin thellësisht të përçarë për njohjen e kësaj pavarësie”, ka deklaruar Métais.
Ai e lidh këtë zhvillim me atë që sot njihet si luftë hibride e Rusisë kundër Evropës, duke argumentuar se rasti i Kosovës shërben si shembull i hershëm i përdorimit të institucioneve ndërkombëtare dhe dezinformimit për qëllime politike.
“Ky manipulim shfaqet si pararendës i luftës hibride që Rusia e Putinit zhvillon sot kundër Evropës. Synimi i tij ishte që evropianët të mbeteshin të përçarë për një kohë të gjatë rreth njohjes së Kosovës, përmes hartimit të një raporti që do ta mbante vulën ‘Këshill i Evropës’ dhe do t’i dënonte moralisht përgjegjësit më të lartë të shtetit të ri”, ka thënë ai.
Métais ka theksuar se, sipas interpretimit të tij, nisma formale nisi në prill të vitit 2008, kur një parlamentar rus paraqiti një mocion në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vetëm dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ai e përshkruan këtë Asamble si një platformë të rëndësishme për operacionet e dezinformimit të shërbimeve sekrete ruse.
Métais: Dick Marty ishte “idiot i dobishëm”
Një pjesë të rëndësishme të intervistës, studiuesi francez ia kushton rolit të Dick Martyt dhe mënyrës se si, sipas tij, mund të shfrytëzohen figura publike për të çuar përpara objektiva të shërbimeve të huaja.
Métais e cilëson Martyn si “idiot të dobishëm”, duke sqaruar se ky përkufizim nuk nënkupton domosdoshmërisht se personi është agjent i një shërbimi sekret.
“Dick Marty ishte ai që, sipas një tradite shprehjeje që zakonisht i atribuohet Leninit, e quajmë ‘idiot i dobishëm’. Është e rëndësishme të kuptohet çfarë nënkupton kjo në rastin konkret”, ka deklaruar Métais.
Ai ka bërë dallimin mes një personi që vepron si agjent i shërbimeve sekrete dhe dikujt që, pa qenë domosdoshmërisht pjesë e tyre, mund të shfrytëzohet për të përmbushur qëllime të caktuara politike.
“Së pari duhet saktësuar se një ‘idiot i dobishëm’ nuk është ‘agjent’. Një agjent i shërbimeve sekrete ruse në kohën e Putinit, ashtu si një agjent i shërbimeve sekrete serbe në kohën e Millosheviqit, nuk është njeri i lirë. Ai është ‘i shtrënguar’. Për arsye të ndryshme, e ka humbur lirinë e veprimit”, ka shpjeguar studiuesi.
Sipas tij, një agjent mund të jetë i detyruar të bashkëpunojë për shkak të betimeve profesionale ose të presionit që shërbimet sekrete mund të ushtrojnë ndaj tij, përfshirë përdorimin e informacioneve komprometuese.
Serge Métais, i lindur më 1952, është ekonomist, studiues i historisë dhe publicist francez, i njohur për studimet mbi sistemet komuniste të Evropës Lindore, historinë e shqiptarëve dhe zhvillimet gjeopolitike në hapësirën postsovjetike.






