Kreu i SPAK, Klodian Braho, në një takim me gazetarët, ka folur për arrestimin në Francë të Ermal Beqirajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme për dosjen “AKSHI”.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, i pyetur nëse SPAK kishte dijeni për vendndodhjen e tij para ndalimit, Braho sqaroi se procedurat ishin ndjekur në bashkëpunim me autoritetet franceze dhe se arrestimi nuk ishte një veprim i rastësishëm.
Sipas tij, prokuroria kishte komunikuar prej javësh me autoritetet franceze dhe kishte shkëmbyer informacion jo vetëm për kapjen e Beqirajt, por edhe për veprimet e tij të tjera që lidhen me hetimin.
“Prokuroria, në çdo rast, sapo merr urdhrin e gjykatës, e dërgon për ekzekutim pranë organit që ka detyrën përkatëse. Në këtë moment është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe personi që ju përmendni është njëri prej tyre. Nuk ka qenë një veprim i rastësishëm. Prokuroria ka qenë prej javësh në kontakt me autoritetet franceze, ka ndarë informacion me francezët, jo vetëm për kapjen e tij, por edhe për veprimet e tij. Për veprime të tjera do t’ju bëjmë me dije në vijim. Prokuroria e ka ditur se ku ai ndodhej dhe ka dërguar letërporosi para se ai të arrestohej”, tha Braho.
Ermal Beqiraj u arrestua në Francë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të SPAK për dosjen “AKSHI”.
Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra penale, mes tyre heqje e paligjshme e lirisë, konkurrencë e paligjshme përmes dhunës, shkelje të barazisë në tendera publikë, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas autoriteteve shqiptare, arrestimi u realizua falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion. Beqiraj ndodhet aktualisht në paraburgim në Francë dhe pritet të ndiqen procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. /Tch/






