​Situatë e tensionuar në protestë, zjarr në ballkonin e Ministrisë së Arsimit

Nacionale

Për të dytën ditë me radhë po vazhdon protesta e studentëve në Tiranë. Studentët e disa universiteteve në Tiranë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë edhe sot në rrugë, një ditë pas protestës së shoqëruar me tensione dhe përplasje me Policinë. Protesta po zhvillohet me tensione. Protuesit po hedhin gurë dhe gjësende në drejtim të […]

Madhësia e shkronjave

Për të dytën ditë me radhë po vazhdon protesta e studentëve në Tiranë.

Studentët e disa universiteteve në Tiranë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë edhe sot në rrugë, një ditë pas protestës së shoqëruar me tensione dhe përplasje me Policinë.

Protesta po zhvillohet me tensione. Protuesit po hedhin gurë dhe gjësende në drejtim të Policisë, ndërkaq Policia po përdorë ujë me presion për t’i larguar protestuesit.

14/10/2026 18:07- Përshkallëzohet protesta në Tiranë, u vihet flaka pemëve pranë Kryeministrisë

Protesta që po zhvillohet para Kryeministrisë në Tiranë vijon mes tensioneve të larta, ku raportohet për hedhje të koktejeve molotovi dhe djegien e një peme në afërsi të godinës qeveritare.

Gjatë protestës, disa prej protestuesve dëgjohen duke brohoritur “Digje, digje!” dhe “Ju erdhi fundi!”, ndërsa situata në terren vijon të jetë e tensionuar.

Policia po përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa efektivët e Gardës së Republikës po hedhin ujë në drejtim të pemëve të përfshira nga flakët, në përpjekje për të shuar zjarrin.

14/10/2026 17:55- 2 policë të lënduar po marrin trajtim në urgjencë, 3 protestues pas mjekimit kanë dalë nga spitali

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka publikuar përditësimin e fundit lidhur me situatën shëndetësore të të lënduarve gjatë protestës, duke konfirmuar se nuk ka asnjë humbje jete dhe se të gjithë personat e prekur janë në gjendje të mirë.

“Në QSUT po marrin aktualisht trajtim në urgjencë 3 protestues dhe 2 efektivë policie, koshient të gjithë, gjendja shëndetësore e mirë.”

Sipas njoftimit zyrtar për shtyp të institucionit shëndetësor, një pjesë e personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore kanë përfunduar trajtimin dhe janë larguar tashmë nga ambientet e spitalit.

“3 protestues kanë marrë mjekimin dhe kanë dalë nga spitali.”

14/10/2026 17:55- Begaj reagon për tensionet gjatë protestave: Dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.

Përmes një mesazhi publik, Begaj theksoi rëndësinë e garantimit të së drejtës për protestë paqësore, duke nënvizuar se dhuna dhe përdorimi joproporcional i forcës nuk duhet të kenë vend në një shoqëri demokratike.

14/10/2026 17:30- Situatë e tensionuar, protestuesit hedhin gurë drejt Kryeministrisë

Vijojnë tensionet gjatë protestës në kryeqytetin shqiptar, ku protestuesit janë përplasur me forcat e policisë pranë Kryeministrisë.

Sipas pamjeve nga vendngjarja, disa protestues kanë hedhur gurë në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

14/10/2026 16:56- Protestuesit i vënë flakën Ministrisë së Financave, policia përdor gaz lotsjellës

Situata në Tiranë është tensionuar gjatë protestës në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit kanë hapur dyert e Ministrisë së Financave dhe, sipas raportimeve i kanë vënë flakën godinës.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë përshkallëzuar, ndërsa efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

14/10/2026 16:49- Përshkallëzohet situata te Rruga e Durrësit, marrin flakë pemët pranë Muzeut Historik Kombëtar

Situata nga protesta në Rrugën e Durrësit ka marrë përmasa të tjera duke marr flakë edhe pemët ngjitur me Muzeun Historik.

Kjo ndodhi në momentin kur protestuesit u spostuan pranë sheshit “Skënderbej”. Këta të fundit morën stola plastikë dhe u kanë vënë flakën në mes të rrugës duke sjellë kështu dhe përshkallëzimin e situatës.

14/10/2026 16:48- Në protestat në Tiranë shfaqet edhe flamuri i UÇK-së

Krahas flamujve kombëtarë shqiptarë, në protestat që po zhvillohen në Tiranë është parë edhe prania e simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Protestat në kryeqytetin shqiptar kanë vijuar edhe sot, ndërsa mijëra studentë dhe qytetarë kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë dhe gjendjes në arsim.

14/10/2026 16:21- Përshkallëzohet protesta, i vihet flaka institucionit financiar

Godina e një institucioni financiar privat në Rrugën e Durrësit, e cila u sulmua të martën dhe u plaçkit, u përfshi nga flakët pasditen e të mërkurës.

Flakët rrezikojnë të përfshijnë edhe godina të tjera aty pranë si Ambasada e Vatikanit apo edhe pallate banimi e biznese.

Më parë edhe godina e Ministrisë së Arsimit u sulmua molotov nga protestuesit, duke shkaktuar zjarre në katin e parë dhe të dytë.

14/10/2026 15:18- Të rinjtë prishin sinjalistikën rrugore, dëmtojnë semaforët

Tensionet gjatë protestës studentore në Tiranë janë përshkallëzuar më tej.

Përveç përplasjeve me policinë, goditjeve me objekte, një grup protestuesish në Rrugën e Durrësit kanë nisur të shkatërrojnë edhe sinjalistikën rrugore në kryeqytet.

14/10/2026 14:58- Situatë e tensionuar në Tiranë – protestuesit hedhin gurë, Policia topa uji

Po vazhdon protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.

Derisa protestuesit po vazhdojnë të protestojnë duke hedhur gurë dhe gjësende tjera në drejtim të Policisë, këta të fundit po hedhin ujë me presion ndaj protestuesve.

Më parë, protestuesit ia vunë flakën ballkonit të Ministrisë.

14/10/2026 14:49- Ministria e Shëndetësisë: 4 protestues dhe 1 efektiv policie janë paraqitur për ndihmë mjekësore

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se gjatë protestës së kësaj të mërkure, për mjekim janë paraqitur katër protestues dhe një efektiv policie, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

14/10/2026 14:43- Situatë e tensionuar, zjarr në ballkonin e Ministrisë së Arsimit

Po vazhdon situatë e tensionuar në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.

Gjatë protestës është vënë zjarr në ballkonin e Ministrisë së Arsimit.

Zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes.

14/10/2026 14:33- Situatë e tensionuar, hidhet gaz lotsjellës

Po vazhdon situatë e tensionuar në protestën e studentëve në Tiranë, ku forcat e rendit kanë ndërhyrë duke hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Mediat në Shqipëri raportojnë se protestuesit janë detyruar të largohen përkohësisht me vrap për shkak të gazit lotsjellës dhe përplasjeve të krijuar përgjatë perimetrit të tubimit

14/10/2026 14:28- Foto nga protesta

Po vazhdon me tensione protesta e studentëve në Tiranë. Dsa prej protestuesve kanë sulmuar edhe një bankë të nivelit të dytë.

Po ashtu një grup i të rinjve kanë ndezur flakë në koshat e mbeturinave.

14/10/2026 14:24- Protestuesit përzënë Edi Palokën, ujë drejt deputetit të PD-së: Rama në burg, Berisha në burg

Pjesë e protestës në rrugën e Durrësit kanë qenë edhe deputetët e Partisë Demokratike.

Edi Paloka është përballur me protestuesit, teksa këta të fundit kanë tentuar ta përzënë, raporton tch.

Ata bënin thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” përpara tij, ndërsa në momentin e largimit, Paloka është lagur edhe me ujë.

14/10/2026 14:21- Protestuesit sulmojnë një bankë

Po vijojnë në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit.

Gjatë tensioneve, disa prej protestuesve kanë sulmuar edhe një bankë të nivelit të dytë.

Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar, me demonstruesit që po sulmojnë godinën me mjete të forta dhe kokteje molotov.

Në zhvillimin e fundit, protestuesit i kanë vënë flakën kabinës së rojeve në ambientet e Ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë, forcat e policisë janë kundërpërgjigjur duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion, në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll, raporton a2cnn.

14/10/2026 13:16- “Shqetësim për përshkallëzimin e dhunshëm”, Delegacioni i BE reagon për protestat

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e dhunshëm të protestës së studentëve dhe përplasjet me forcat e Policisë së Shtetit.

Delegacioni thotë se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve, shkruan A2cnn.

Për këtë arsye, kërkon që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, ndërsa rastet e raportuara të hetohen me përparësi.

14/10/2026 13:02- Protesta e studentëve, policia apel: Distancohuni nga personat e maskuar që sulmojnë efektivët

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestën studentore në Tiranë të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat e maskuar, të cilët, sipas policisë, po sulmojnë punonjësit e saj dhe po dëmtojnë pronën publike e private.

Në një apel drejtuar protestuesve, Policia thekson se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por nënvizon se dhuna ndaj efektivëve, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.

Lajmi i plotë këtu:

14/10/2026 12:43- Të rinjtë i vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërhyn Policia

Situata para Ministrisë së Arsimit vazhdon të jetë e tensionuar pasditen e sotme, teksa një grup të rinjsh kanë ndezur flakë në koshat e mbeturinave.

Protesta është shoqëruar me tensione dhe tym e zjarr në rrugë, raportojnë mediat në Shqipëri.

Reagimi i forcave të rendit ka qenë i menjëhershëm. Efektivët e policisë kanë ndërhyrë në vendngjarje për të shuar flakët, për të rikthyer rendin dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

14/10/2026 12:06- Studentët shkulin kangjellat e hekurit përpara Ministrisë së Arsimit dhe gjuajnë me mjete piroteknike

Ende pa nisur protesta e thirrur në ora 14:00 ka nisur grumbullimi i studentëve.

Po ashtu mediat në Shqipëri raportojnë për tensione para Ministrisë së Arsimit.

Studentët kanë shkulur kangjellat e hekurit përpara godinës, ndërsa kanë goditur edhe derën e godinës, përfshirë edhe mjetet piroteknike. Ndërkohë, forcat policore janë rreshtuar pas derës së Ministrisë.

14/10/2026 12:03- Studentët në protestë, policia “blindon” Kryeministrinë!

Studentë, të rinj dhe gjimnazistë të shumtë janë ngritur në protestë edhe këtë të mërkurë një ditë pas tensioneve të regjistruara para Ministrisë së Arsimit.