Shefi i EULEX-it vlerëson SHKK-në: Lider jo vetëm në rajon, por edhe shembull për shtetet evropiane

Nacionale

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopez, me të cilin ka diskutuar për punën, të arriturat dhe zhvillimet në sistemin korrektues të vendit. Gjatë takimit, Dibrani e njoftoi Lopezin me aktivitetet e […]

Madhësia e shkronjave

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopez, me të cilin ka diskutuar për punën, të arriturat dhe zhvillimet në sistemin korrektues të vendit.

Gjatë takimit, Dibrani e njoftoi Lopezin me aktivitetet e SHKK-së dhe synimet për avancimin e mëtejmë të këtij sistemi, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas njoftimit, ky bashkëpunim ka kontribuar në zhvillimin profesional të institucionit dhe ngritjen e standardeve të shërbimit.

Në takim u diskutua edhe për projektet e SHKK-së që kanë marrë vlerësime ndërkombëtare, përfshirë Çmimin e Ekselencës nga International Corrections and Prisons Association (ICPA) për projektin “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”.

Po ashtu, u përmend edhe përfshirja e SHKK-së në mesin e pesë iniciativave më të mira të EuroPris Prison Award, me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.

Shefi i EULEX-it, Antero Lopez, përgëzoi SHKK-në për të arriturat e deritanishme, duke e cilësuar atë si lider jo vetëm në rajon, por edhe si institucion që mund të shërbejë si shembull për shumë shtete evropiane.

Lopez vlerësoi veçanërisht rezultatet në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të dënuar.

“Sot Kosova është duke bërë një punë mjaft të mirë në kthimin e të burgosurve në shoqëri”, u shpreh Lopez.

Në fund të takimit, palët ritheksuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet SHKK-së, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, me fokus në forcimin e sistemit korrektues, zhvillimin profesional dhe avancimin e proceseve të rehabilitimit dhe riintegrimit./Telegrafi/