“Serbia po armatoset me armë sulmuese” – Kroacia kërkon presion ndërkombëtar ndaj Beogradit

Bota

Tensionet politike ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë janë përshkallëzuar pas deklaratave të zyrtarëve të lartë kroatë për armatosjen e përshpejtuar të Serbisë, ndërsa nga Zagrebi tashmë po kërkohet që partnerët perëndimorë të ushtrojnë edhe presion politik ndaj Beogradit, shkruan Telegrafi. Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq, dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, kanë ngritur publikisht shqetësimin […]

Madhësia e shkronjave

Tensionet politike ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë janë përshkallëzuar pas deklaratave të zyrtarëve të lartë kroatë për armatosjen e përshpejtuar të Serbisë, ndërsa nga Zagrebi tashmë po kërkohet që partnerët perëndimorë të ushtrojnë edhe presion politik ndaj Beogradit, shkruan Telegrafi.

Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq, dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, kanë ngritur publikisht shqetësimin për kapacitetet ushtarake që Serbia po ndërton, duke kërkuar që për këtë çështje të informohen aleatët e Kroacisë. Deklaratat e tyre kanë nxitur reagimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa në polemikë është përfshirë edhe ministri kroat i Ekonomisë, Ante Shushnjar.

Jandrokoviq, duke folur para ambasadorëve, konsujve dhe atasheve ushtarakë kroatë në konferencën e tyre vjetore në Zagreb, tha se Serbia nuk po pajiset vetëm me mjete mbrojtëse.

“Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive, sulmuese. Dhe këtë duhet t’ua themi aleatëve tanë perëndimorë. Nuk duhet të ikim nga kjo…”, deklaroi ai, shkruajnë mediat në Kroaci, transmeton Telegrafi.

Sipas Jandrokoviqit, elitat e reja politike në disa prej vendeve perëndimore nuk e njohin sa duhet historinë e ish-Jugosllavisë, politikën e Sllobodan Millosheviqit dhe rreziqet që, sipas tij, mund të dalin nga zhvillimet aktuale në rajon. Ai kërkoi që diplomacia kroate të jetë më aktive në shpjegimin e këtyre çështjeve te partnerët ndërkombëtarë.

“Večernji list” shkruan se shqetësimet kroate janë shtuar edhe pas modernizimit të shpejtë të ushtrisë serbe gjatë viteve të fundit. Veçanërisht reagime në Kroaci kishte shkaktuar vendimi i Francës për t’i shitur Serbisë 12 avionë luftarakë Rafale. Presidenti kroat Zoran Milanoviq gjithashtu kishte kritikuar më herët aleatët perëndimorë për furnizimin e Beogradit me armë.

Megjithatë, gazeta kroate vë në pah edhe një problem të diplomacisë së Zagrebit: Kroacia aktualisht nuk ka ambasador në Paris dhe as në Londër, ndërkohë që pikërisht këto kryeqytete janë ndër adresat kryesore ku autoritetet kroate duan ta përcjellin mesazhin për Serbinë.

Anushiq: Duhet të ushtrohet presion politik ndaj Serbisë

Një qëndrim edhe më të drejtpërdrejtë ka mbajtur ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq.

Ai tha se Kroacia duhet t’i informojë vazhdimisht partnerët e saj për armatosjen dhe politikën e Serbisë, në mënyrë që ndaj Beogradit të ushtrohet presion politik.

“Duhet t’i informojmë dhe t’i njohim partnerët tanë me këtë situatë, në mënyrë që ata të ushtrojnë presion politik ndaj Serbisë”, deklaroi Anushiq në konferencën vjetore të diplomatëve dhe përfaqësuesve ushtarakë kroatë në Zagreb.

Ai e lidhi këtë çështje edhe me situatën më të gjerë të sigurisë në Evropë, duke deklaruar se vendet evropiane duhet t’i jenë mirënjohëse Ukrainës pasi, sipas tij, duke iu kundërvënë agresionit rus, ajo po mbron edhe kufijtë e Evropës.

Anushiq foli gjithashtu për modernizimin e ushtrisë kroate, duke deklaruar se synimi është që deri në vitin 2030 Kroacia të ketë një ushtri “plotësisht të pajisur, të fuqishme dhe moderne”, shkruajnë mediat kroate, transmeton Telegrafi.

Ai tha se po zhvillohet një modernizim historik i të tri degëve të forcave të armatosura kroate dhe paralajmëroi zhvillim më të madh të industrisë vendore të mbrojtjes, përfshirë sistemet pa pilot.

Deklaratat nga Zagrebi kanë shkaktuar reagimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ai iu përgjigj Jandrokoviqit, sipas mediave kroate, me ironi, duke thënë se kishte kaluar koha kur, sipas tij, “me ambasadorë mbi tanke dëboheshin njerëzit”, ndërsa u tha kroatëve se do të ishte më mirë ta “ndiqnin atë dhe të mësonin” se si zhvillohet politika.

Pikërisht kjo deklaratë e Vuçiqit hapi një polemikë të re, pasi ministri kroat i Ekonomisë, Ante Shushnjar, doli në mbrojtje të Jandrokoviqit dhe e krahasoi politikën që vjen nga Serbia me një “reality show”.

“E dua humorin britanik dhe serialet politike, por di të shoh edhe ndonjë reality të mirë. Vështirë se mund të gjendet një reality show politik më i mirë se ai që vjen nga fqinjët. Kur mendon se skenari ka arritur kufirin e së mundshmes, të nesërmen vjen një episod i ri”, shkroi Shushnjar në platformën X.

Ai reagoi veçanërisht ndaj pretendimit të Vuçiqit për një ambasador amerikan mbi tank.

Sipas Shushnjarit, Vuçiq po i referohej ish-ambasadorit amerikan në Kroaci, Peter Galbraith, por ministri kroat tha se faktet ishin ndryshe.

“Unë nuk do të gënjeja aq lehtë për amerikanët”, shkroi ai, duke shtuar se Galbraith “nuk ishte mbi tank”, por ishte në një traktor së bashku me një familje refugjatësh serbë në afërsi të Glinës.

Në fund, Shushnjar e vazhdoi ironinë duke thënë se “reality është një zhanër i pakëndshëm” sepse “kamerat mbajnë mend”, pavarësisht se si interpretohen ngjarjet më vonë.

Përplasja e fundit zhvillohet në një kohë kur raportet mes Zagrebit dhe Beogradit vazhdojnë të jenë të ngarkuara nga çështjet e trashëguara nga luftërat e viteve ’90, dallimet në politikën rajonale dhe diskutimet për orientimin strategjik dhe ushtarak të Serbisë.

Deklaratat e Jandrokoviqit dhe Anushiqit tregojnë se Zagrebi synon që çështjen e armatosjes së Serbisë ta ngrejë edhe në nivel ndërkombëtar, duke kërkuar që aleatët perëndimorë jo vetëm të jenë të informuar, por edhe të ushtrojnë presion politik ndaj Beogradit. /Telegrafi/.