Pas një periudhe kur dukej se ishte lënë pas, fruthi po rikthehet si shqetësim për shëndetin publik në Kosovë. Shtimi i rasteve të kësaj sëmundjeje shumë ngjitëse ka ngritur alarmin te profesionistët shëndetësorë, veçanërisht për rrezikun që ajo të përhapet më tej në mesin e fëmijëve dhe personave të pavaksinuar.
Fruthi nuk është një sëmundje që duhet nënvlerësuar. Një person i infektuar mund ta përhapë virusin te të tjerët shumë lehtë, ndërsa komplikimet mund të jenë serioze, sidomos te fëmijët e vegjël.
Në një kohë kur vaksinimi është mënyra më e sigurt për parandalimin e fruthit, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve të mos e neglizhojnë vaksinimin e fëmijëve.
Në një intervistë për Telegrafin, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka dhënë detaje për sëmundjen e fruthit, simptomat, mënyrën e përhapjes, rrezikun e komplikimeve dhe rëndësinë e vaksinimit.

Nga IKShPK kanë theksuar se me shtimin e rasteve, identifikimi i hershëm i të infektuarve dhe marrja e masave për parandalimin e përhapjes janë veçanërisht të rëndësishme.
TELEGRAFI: Çfarë sëmundje është fruthi dhe cilat janë simptomat? Si përhapet?
IKSHPK: Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse që mund të shkaktojë komplikime serioze.
Përhapet kryesisht përmes ajrit kur personi i infektuar kollitet ose teshtin. Virusi mund të qëndrojë në ajër ose në sipërfaqe deri në 2 orë dhe një person mund ta përhapë edhe para shfaqjes së simptomave.
• skuqje në lëkurë, e cila zakonisht fillon në fytyrë dhe më pas përhapet në pjesë të tjera të trupit.
TELEGRAFI: Sa i rrezikshëm mund të jetë fruthi dhe cilat janë komplikimet më të shpeshta, veçanërisht te fëmijët?
IKSHPK: Fruthi mund të prekë këdo që nuk është imunitet, por më së shpeshti shfaqet tek fëmijët. Është veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët e vegjël nën moshën 5 vjeç, gratë shtatzëna dhe personat me sistem imunitar të dobësuar.
• encefalit (infeksion i trurit që mund të shkaktojë dëmtime të përhershme)
• diarre (barkqitje) të rëndë dhe dehidrim
• infeksione të veshit që mund të çojnë në dëmtim të të dëgjuarit
• pneumoni dhe probleme të rënda të frymëmarrjes
Fruthi është sëmundje serioze që mund të shkaktojë komplikime të rënda dhe, në raste të caktuara, edhe vdekje.
TELEGRAFI: Cila është situata aktuale me fruthin në Kosovë? Sa raste janë konfirmuar deri më tani gjatë këtij viti?
IKSHPK: Gjatë këtij viti, deri më datë 27.08.2026 janë raportuar gjithsej njëqind e pesëdhjetë (150) raste të konfirmuara me fruth
TELEGRAFI: Në cilat komuna është shënuar numri më i madh i rasteve dhe a ka vatra aktive të përhapjes?
IKSHPK: Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me pesëdhjetë (50) raste, Fushë-Kosovë me tridhjetë e pesë (35) raste; Ferizaj me trembëdhjetë (13) raste; Obiliq me nëntë (9) raste; Lipjan me tetë (8) raste; Kaçanik me shtatë (7) raste; Vushtrri me katër (4) raste; Skenderaj, Shtime dhe Drenas me nga tre (3) raste; Gjilan, Gjakovë, Shtërpce, dhe Deçan me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat: Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.
TELEGRAFI: Cilat grupmosha janë më të prekura nga fruthi në Kosovë?
IKSHPK: Analizuar sipas grup-moshës: Gjashtëdhjetë (60) raste i takojnë grup-moshës 12-24 muaj, tridhjetë e dy (32) raste i takojnë grup-moshës 0-12 muaj, njëzet e shtatë (27) raste i takojnë grup-moshës 2-4 vjeç; njëzetë e një (21) raste i takojnë grup-moshës mbi 18 vjeç, pesë (5) raste i takojnë grup-moshës 6-18 vjeç dhe tre (3) raste grup-moshës 4-6 vjeç.
TELEGRAFI: Sa nga personat e prekur kanë qenë të pavaksinuar ose me vaksinim të paplotë?
IKSHPK: Mbi 95 % e rasteve janë të pavaksinuar me asnjë dozë të vaksinës MMR dhe pjesa e mbetur janë të pa kompletuar serinë me dy doza.
TELEGRAFI: A është rritur numri i rasteve krahasuar me vitet e kaluara dhe cilët faktorë kanë ndikuar në këtë rritje?
IKSHPK: Po, numri i rasteve është rritur krahasuar me vitin e kaluar, kur janë konfirmuar 72 raste me fruth.
TELEGRAFI: Cili është niveli aktual i mbulueshmërisë me vaksinën MMR në Kosovë?
IKSHPK: Mbulueshmëria me vaksinës MMR në nivel vendi është 82%.
TELEGRAFI: A ka komuna ku përqindja e vaksinimit mbetet shqetësuese? Nëse po, cilat janë ato?
IKSHPK: Në përgjithësi, pothuajse të gjitha komunat kanë nivel të ngjashëm të vaksinimit, pa dallime të mëdha ndërmjet tyre.
TELEGRAFI: Çfarë masash po ndërmerr IKSHPK për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të fruthit?
IKSHPK: Në përgjithësi, masat janë fokusuar në tri drejtime kryesore: monitorimin dhe kontrollin epidemiologjik, rritjen e mbulueshmërisë me vaksinën MMR përmes vaksinimit Catch-up dhe forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e përhapjes së fruthit.
TELEGRAFI: A rekomandohet vaksinimi i fëmijëve që kanë humbur terminin e vaksinës MMR? Si mund ta bëjnë këtë prindërit?
IKSHPK: Po. Vaksina MMR mund të jepet edhe pas kalimit të moshës së rekomanduar. Prindërit ftohen të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe të paraqiten në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare për të kompletuar dozat e humbura.
TELEGRAFI: Çfarë këshille u jep IKSHPK qytetarëve për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre gjatë kësaj periudhe?
IKSHPK: Vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër fruthit. Prindërit këshillohen të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurohen që ata të jenë të vaksinuar me dozat e vaksinës MMR sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit. /Telegrafi/





