Një aeroplan civil është rrëzuar në qytetin Tomblaine në verilindje të Francës, duke lënë të vdekur 11 persona, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Sipas tyre, në mesin e viktimave janë piloti dhe 10 pasagjerë, përfshirë pesë studentë dhe pesë instruktorë, shkruan BBC.
Aeroplani i përkiste një shkolle të parashutizmit dhe kishte ngritur nga aeroporti Nancy-Essey para se të rrëzohej, raportojnë mediat lokale.
Policia ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën përreth aeroportit në departamentin Meurthe-et-Moselle, ndërsa Ministri i Brendshëm francez është nisur drejt vendit të ngjarjes.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. /Telegrafi/






