Rrahmani: Pasardhësit e shqiptarëve të dëbuar nga Kosova nuk përfitojnë lehtësira për shtetësi

Nacionale

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Eman Rrahmani, ka kritikuar miratimin e Ligjit të ri për shtetësinë, duke e cilësuar atë si të padrejtë ndaj shqiptarëve të dëbuar historikisht nga Kosova. Për këtë, Rrahmani për KosovaPress thekson se megjithëse ligji sjell lehtësime për mërgatën dhe procedura të tjera […]

Madhësia e shkronjave

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Eman Rrahmani, ka kritikuar miratimin e Ligjit të ri për shtetësinë, duke e cilësuar atë si të padrejtë ndaj shqiptarëve të dëbuar historikisht nga Kosova.

Për këtë, Rrahmani për KosovaPress thekson se megjithëse ligji sjell lehtësime për mërgatën dhe procedura të tjera administrative, ai përmban dispozita që, sipas tij, janë problematike.

Ai tha se ligji parasheh që çdo person që ka jetuar në Kosovë në vitin 1998 dhe ka qenë banor i ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, përfiton të drejtën e shtetësisë së Kosovës, përfshirë edhe pasardhësit e tij, pavarësisht nga vendi apo koha e lindjes.

“Në atë ligj parashihet që secili person, i cili ka jetuar në vitin 1998 në vendin tonë dhe ishte banor i Republikës Federative të Jugosllavisë, i takon e drejta e shtetësisë edhe pasardhësit të tij, pa marrë parasysh a ka lindur në vitin 2026 apo në vitin 2020, kudo që ka lindur, i takon e drejta për shtetësi të Kosovës”, tha ai.

Rrahmani për amandamentet e propozuara dhe të pamiratuara për trajtim të veçantë të shqiptarëve të dëbuar gjatë periudhave historike, përfshirë kohën e Rankoviqit, thotë se krijon një pabarazi.

Kjo, sipas tij, pasi komunitete të caktuara përfitojnë lehtësira automatike, ndërsa shqiptarët e dëbuar duhet të ndjekin procedura të zakonshme, si qëndrimi pesëvjeçar në Kosovë për të fituar shtetësinë.

“Ndërsa, amendamentet e propozuara të deputetit Mazreku, të cilat do t’u mundësonin të gjithë pasardhësve të shqiptarëve, të cilët janë dëbuar nga Kosova, nga koha e Rankoviqit dhe në të gjitha periudhat historike, shqiptarët të cilët janë dëbuar, pasardhësit e tyre nuk kanë të drejtë shtetësie në aspektin e lehtësirave, sepse në Kosovë të drejtë shtetësie mund të ketë secili qytetar, po është procedura që duhet të qëndrojë pesë vjet, me u pranu, ai i takon edhe një shqiptari, edhe cilido nacionalitet në botë që do me u bë shtetas i Kosovës, janë procedura të rregullta”, tha ai.

Rrahmani vlerëson se një nga arsyet pse Lista Serbe e ka mbështetur ligjin është pikërisht kjo dispozitë që çdo personi, i cili ka jetuar në Kosovë me 1 janar të vitit 1998, i lejohet shtetësia edhe pasardhësve të tyre.

Sa i përket kolonëve që kanë ardhur nga Serbia gjatë viteve ’70 – ’80, ai tha se i njëjti ligj vlen edhe për këtë kategori nëse kanë qenë banorë rezidentë në atë periudhë.

I pyetur për mundësinë e dërgimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese, Rrahmani tha se ende nuk është diskutuar një hap i tillë, por paralajmëroi analiza të mëtejshme në legjislaturën e re.

“Kemi pasur deklarime të Komisionit për Siguri, që ky ligj cenon edhe sigurinë, nga anëtarë të Komisionit për Siguri të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por që do të duhej të bëhej edhe një analizë më e detajuar. Por kjo është ajo çka kemi mundur me parë për kaq kohë, sepse këto ligje kanë ardhur me procedura të përshpejtuara”, tha ai.

Ai beson se për shkak se këto ligje kanë ardhur me procedura të përshpejtuara, 90% e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk kanë pasur mundësinë të lexojnë këtë ligj në detaje se çka parashihet.

Në fund, Rrahmani u shpreh se mbështet fuqishëm dhënien e shtetësisë për pasardhësit e shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga Kosova, duke theksuar se shumë prej tyre e konsiderojnë këtë një të drejtë të mohuar historikisht.

“Jam jashtëzakonisht pro që me iu mundësua pasardhësve të qytetarëve të cilët janë dëbuar prej këtij vendi me pasë shtetësinë, sepse më ka rënë me taku edhe me i parë, ata kanë ëndërr që me qenë pjesë e shtetësisë së Republikës së Kosovës, sepse janë dëbuar dhunshëm, nuk kanë migruar për dëshirat e tyre apo për diçka tjetër, por thjesht janë dëbuar dhe ka pasur shumë prej tyre të cilët edhe i kanë humbur familjet e tyre dhe në fund t’u mohohet e drejta që të kenë shtetësinë në vendin tonë.,” përfundoi ai.

Me 69 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për shtetësinë e Kosovës. Ky projektligj u votua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.