Refuzoi milionat për të luftuar me Mike Tysonin, sot kampioni olimpik shihet duke kërkuar ushqim në mbeturina

Sport

Një video është publikuar në rrjetet sociale, ku shihet Felix Savon, tre herë kampion olimpik në boks, duke kontrolluar një enë dhe duke thënë se po mbledh ushqim. Pamjet u shpërndanë nga boksieri profesionist kubanez Gustavo Trujillo, ndërsa ende nuk dihet se ku dhe kur janë regjistruar. Burri që po e filmonte nga makina e […]

Madhësia e shkronjave

Një video është publikuar në rrjetet sociale, ku shihet Felix Savon, tre herë kampion olimpik në boks, duke kontrolluar një enë dhe duke thënë se po mbledh ushqim.

Pamjet u shpërndanë nga boksieri profesionist kubanez Gustavo Trujillo, ndërsa ende nuk dihet se ku dhe kur janë regjistruar.

Burri që po e filmonte nga makina e pyet: “Kampion, çfarë po ndodh? Savon, çfarë po bën, mik?”, ndërsa ish-boksieri përgjigjet: “Po mbledh ushqim, diçka për të ngrënë”.

Sipas portalit Cuba Noticias 360, pasi pamjet u bënë virale, komediani kubanez Limay Blanco i dhuroi Savonit një pako me ushqime dhe një Bibël, të dërguara nga kisha e tij, Cristo Cambia Vidas.

“Çfarëdo që të ketë bërë ai person, ndihmojeni dhe vazhdoni përpara”, tha Blanco.

Savon është një nga emrat më të mëdhenj në historinë e boksit amator. Boksieri kubanez, i cili garonte në kategorinë e peshave të rënda, fitoi tri medalje të arta olimpike radhazi: në Barcelonë më 1992, në Atlanta më 1996 dhe në Sydney më 2000. Një arritje të tillë e kanë realizuar vetëm dy boksierë të tjerë: Teofilo Stevenson dhe Laszlo Papp.

Përveç tri medaljeve të arta olimpike, Savon fitoi edhe gjashtë tituj botërorë, katër medalje të arta në Kupën e Botës, tri në Lojërat Panamerikane dhe katër në Lojërat e Amerikës Qendrore dhe Karaibeve.

Ai nuk u bë kurrë boksier profesionist dhe thuhet se refuzoi oferta milionëshe për t’u përballur me Mike Tysonin, pasi boksi profesionist ishte i ndaluar në Kubë.

Megjithatë, emri i Savonit është lidhur edhe me akuza serioze gjatë viteve të fundit.

Në vitin 2018, gazetari i pavarur kubanez Abraham Jimenez Enoa raportoi në revistën Gatopardo se Savon ishte ndaluar nga autoritetet, nën dyshimin për abuzim seksual ndaj një të mituri, pasi familja e një fëmije 12-vjeçar kishte ngritur një denoncim kundër tij.

Autoritetet kubane nuk kanë publikuar asnjëherë zyrtarisht detaje lidhur me akuzën, procesin gjyqësor apo ndonjë vendim të mundshëm të gjykatës./Telegrafi/