Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se ka nisur realizimi i një prej projekteve më të mëdha kapitale në zonën kufitare të komunës, segmenti rrugor Sfircë–Shahiq.
Projekti parasheh ndërtimin e një rruge me gjatësi prej 6.86 kilometrash, me një vlerë investimi prej rreth 2.1 milionë euro.
Sipas Rahimajt, ky investim nuk përfaqëson vetëm një ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, por synon të krijojë lidhje më të mira ndërmjet fshatrave dhe të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kësaj ane.
“Ky projekt është shumë më tepër se një investim në infrastrukturë. Është një lidhje e re mes fshatrave, një mundësi më e madhe për zhvillim ekonomik dhe një hap konkret drejt përmirësimit të jetës së banorëve të kësaj ane”, ka shkruar kryetari Rahimaj.
Investimi në segmentin Sfircë–Shahiq pritet të përmirësojë qarkullimin dhe qasjen e banorëve në këtë pjesë të Kamenicës, duke krijuar një infrastrukturë më funksionale dhe kushte më të favorshme për zhvillimin e zonave rurale. /Telegrafi/






