Liverpooli është gati të intensifikojë përpjekjet për transferimin e Bradley Barcolas gjatë kësaj vere, me drejtuesit e klubit që pritet të paraqesin së shpejti ofertën e parë zyrtare për sulmuesin e Paris Saint-Germain.
Sipas gazetarit të Sky Germany, Florian Plettenberg, “The Reds” janë të vendosur të bëjnë gjithçka për ta sjellë francezin në “Anfield”, ndërsa gjatë ditës janë planifikuar edhe bisedime të tjera mes palëve.
Raporti shton se Liverpooli nuk pret të ketë asnjë problem për të arritur marrëveshje me lojtarin sa i përket kushteve personale, nëse arrin fillimisht një akord me PSG-në.
Barcola, i cili ka kontratë me kampionët e Francës deri në verën e vitit 2028, raportohet se dëshiron të largohet nga “Parku i Princave” gjatë këtij afati kalimtar për të nisur një aventurë të re.
Megjithatë, PSG nuk ka ndërmend ta lërë të largohet lehtë një nga talentet më të mëdhenj të skuadrës. Duke pasur kontroll të plotë mbi situatën kontraktuale të 23-vjeçarit, klubi francez kërkon plot 120 milionë euro për të miratuar largimin e tij.
Mbetet të shihet nëse Liverpooli do të jetë i gatshëm të afrohet me kërkesat financiare të PSG-së, ndërsa saga e Barcolas pritet të jetë një nga më të nxehtat e merkatos së verës./Telegrafi/






