Mauricio Pochettino po shijon një fillim të jashtëzakonshëm me Shtetet e Bashkuara në Kupën e Botës 2026, por sipas trajnerit argjentinas, suksesi nuk ka ardhur rastësisht.
Pas fitoreve bindëse ndaj Paraguait (4-1) dhe Australisë (2-0), ai zbuloi se sfida më e madhe nuk ishte taktika, por ndryshimi i mentalitetit të skuadrës.
Kur mori drejtimin e SHBA-së në vitin 2024, Pochettino mendonte se po i bashkohej një projekti të gatshëm për Botërorin në shtëpi. Megjithatë, realiteti ishte krejt ndryshe.
“Situata ishte më e keqe sesa e kishim imagjinuar. Ne erdhëm plot energji dhe entuziazëm, por morëm një goditje të fortë kur kuptuam se jo të gjithë e shihnin Botërorin me të njëjtën urgjencë si ne”, tha ai.

Momenti kyç erdhi në fund të vitit 2025, kur Pochettino ndjeu se skuadra ende nuk besonte plotësisht te potenciali i saj.
Në një mbledhje me lojtarët, ai solli shembujt e Koresë së Jugut dhe Marokut, që kishin arritur surpriza të mëdha në Botëror.
“Pse jo ne?”, ishte pyetja që ai u bëri futbollistëve.
Kjo frazë është kthyer tashmë në moton e ekipit amerikan dhe qëndron e shkruar me shkronja të mëdha në zyrën e trajnerit.
Pochettino pranoi se humbjet ndaj Panamasë dhe Kanadasë në Ligën e Kombeve të CONCACAF-it në vitin 2025 ishin të dhimbshme, por të nevojshme.
“Ato humbje i bënë të gjithë të kuptonin se, nëse vazhdonim në atë rrugë, nuk do të ishim gati për Kupën e Botës”.
Pas atij momenti, trajneri krijoi konkurrencë të fortë brenda grupit dhe i bëri të qartë çdo lojtari se askush nuk kishte vend të garantuar në skuadër.
Sot, Pochettino thotë se ndihet më i qetë se kurrë. Ndryshe nga koha kur ishte lojtar i Argjentinës në Botërorin 2002 dhe nuk flinte nga emocionet, tani ai shkon në shtrat i bindur se ekipi i tij do të japë maksimumin.
“Kur ndien se energjia është e mirë dhe grupi është i bashkuar, nuk ke nevojë të thuash shumë. Lojtarët e dinë çfarë duhet të bëjnë”, deklaroi ai.
Me SHBA-në tashmë të kualifikuar si lider i Grupit D, Pochettino beson se skuadra e tij mund të vazhdojë të ëndërrojë.
Dhe gjithçka nisi me një pyetje të thjeshtë mes ekipit dhe përzgjedhësit: “Pse jo ne?”. /Telegrafi/





