Të shtunën, një sulm me raketa nga Houthët në Jemen goditi aeroportin ndërkombëtar të Riadit, duke vrarë 13 persona dhe duke plagosur qindra të tjerë. Të dielën, një sulm tjetër vrau një person dhe plagosi gati një duzinë të tjerë.
Dhe sulmet nga Houthët, një grup i mbështetur nga Irani, përbënin përshkallëzimin më të madh deri më tani në fushatën e tyre kundër aeroporteve, objekteve të naftës dhe cisternave saudite gjatë javëve të fundit.
Megjithëse dhuna mund të duket në pamje të parë se kufizohet në Gadishullin Arabik, ajo mund të ketë pasoja globale, duke rritur çmimet e karburantit dhe, rrjedhimisht, inflacionin ndërkombëtar.
Pse tani?
Zgjedhja e momentit nga Houthët është pjesërisht oportuniste, por gjithashtu e lidhur me dinamikën e konflikteve në të gjithë rajonin e Gjirit.
Fillimisht, Houthët qëndruan mënjanë konfliktit të nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit në fillim të këtij viti.
Por muajin e kaluar, lëvizja militante islamiste mori kontrollin e territoreve kyçe dhe fitoi kontrollin faktik mbi ngushticën Bab al-Mandab, e cila dominon Detin e Kuq – një rrugë detare jetike për eksportet e naftës dhe gazit nga rajoni.
Forcat qeveritare të Jemenit dhe aleatët lokalë nisën një kundërofensivë të madhe javën e kaluar për t’i zmbrapsur Houthët nga Bab al-Mandab dhe për të goditur pozicione të tjera të tyre.
Arabia Saudite është në shënjestrën e Houthëve sepse mbështet qeverinë e Jemenit të njohur nga OKB-ja dhe forcat e saj.
Sulmet e tyre ndaj objektivave të rëndësishëm në mbretëri – si infrastruktura e naftës dhe aeroporti i kryeqytetit, që janë simbole kyçe të integrimit ndërkombëtar dhe të së ardhmes ekonomike të vendit – e bëjnë të qartë në mënyrë të dhimbshme koston e zgjedhjeve strategjike të Riadit, vlerëson një shkrim i The Guardian, përcjell Telegrafi.
Sulme të tilla i sjellin dobi edhe Iranit, i cili prej kohësh i mbështet Houthët si pjesë e “boshtit të rezistencës” – një koalicion lëvizjesh islamiste të vijës së ashpër që i mundëson Teheranit të “shfaqë” fuqi dhe ndikim në të gjithë rajonin.
Kërcënimi i ri nga Houthët ndaj Detit të Kuq dhe Arabisë Saudite nxjerr sërish në pah ndikimin e madh që Teherani dhe aleatët e tij mund të ushtrojnë mbi furnizimet globale të naftës dhe gazit, duke kundërshtuar presionin e fundit të SHBA-së përmes “një lëvizjeje të guximshme në tabelën e shahut të konfliktit”.
Pse kjo përbën një situatë të re për Arabinë Saudite?
Sulmet e fundit ndaj Arabisë Saudite kanë qenë më vdekjeprurëset që kanë goditur mbretërinë në një dekadë.
Ato shënuan gjithashtu një nga ndërprerjet më të rëndësishme të aviacionit civil saudit në vite, duke detyruar linjat ajrore në të gjithë Evropën dhe Azinë të pezullonin shërbimet.
Bizneset në qendrën financiare të Riadit u kanë kërkuar punonjësve të punojnë nga distanca, autoritetet në Riad u kanë kërkuar shkollave të kalojnë në mësimin online këtë javë, ndërsa drejtues të lartë të sektorit të energjisë u hoqën nga axhenda e një konference të rëndësishme që po mbahet këtë javë në kryeqytet.
Megjithëse Arabia Saudite ka ndërhyrë në mënyrë indirekte në konflikte anembanë Lindjes së Mesme dhe më gjerë për dekada me radhë, dhuna rrallëherë e ka goditur vetë mbretërinë.
Por muajt e fundit, vendi e ka gjetur veten në vijën e frontit, një situatë që drejtuesit e tij janë përpjekur prej kohësh ta shmangin.
Pse Riadi nuk mundi t’i ndalonte raketat?
Arabia Saudite ka investuar shuma të mëdha në ushtrinë e saj – mbretëria është vendi i tetë në botë për shpenzimet ushtarake – por sulmet e Houthëve janë shumë të vështira për t’u ndalur.
“Sistemet saudite të mbrojtjes ajrore kanë arritur të kapin disa nga sulmet me raketa dhe dronë të Houthëve, por Arabia Saudite është aq e madhe saqë është thjesht e pamundur për ta që të mbrohen vazhdimisht”, vlerëson Thomas Juneau, një analist sigurie në Universitetin e Otavës.
Analistë të tjerë theksojnë se edhe sistemet e vlerësuara izraelite të mbrojtjes ajrore dështuan të ndalonin një raketë balistike që për pak sa nuk goditi aeroportin ndërkombëtar “Ben Gurion” vitin e kaluar.
As masat hakmarrëse kundër Houthëve dhe as përpjekjet për të shkatërruar paraprakisht kapacitetet sulmuese të lëvizjes nuk janë të lehta.
Bombardimet e SHBA-së në vitin 2025 treguan se sa e vështirë është të shkatërrohen kapacitetet e milicisë, të cilat janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit, pjesërisht përmes këshillave dhe investimeve iraniane.
Çfarë mund të ndodhë më pas?
Houthët thonë se veprimet e tyre ishin “të udhëhequra nga reciprociteti” – duke sugjeruar se po i përgjigjen sulmeve të vazhdueshme saudite në territorin që kontrollojnë në Jemen – por nuk tregojnë shenja se do t’i ndalin sulmet e tyre.
“Nëse armiku saudit nuk e ndal agresionin dhe ndërhyrjen e tij në Jemen, më e keqja ende nuk ka ardhur, me vullnetin e Zotit”, thuhej në deklaratat zyrtare të transmetuara nga kanali televiziv al-Masirah i drejtuar nga Houthët.
Duket e pamundur që Arabia Saudite të ndalojë kundërsulmet e saj, dhe po aq e pamundur që mbretëria të jetë në gjendje të gjejë një mënyrë për të bllokuar të gjitha raketat hyrëse të Houthëve, megjithëse mund të përmirësojë mbledhjen e informatave dhe paralajmërimin e hershëm për të lejuar mbrojtje më të mirë të objektivave specifike me vlerë të lartë.
Gjithashtu, nuk ka asnjë perspektivë të afërt për t’i dhënë fund armiqësive midis Iranit dhe SHBA-së, të cilat përbëjnë një faktor kryesor në përshkallëzimin e dhunës së fundit në Jemen.
Dhe, ndonëse Houthët janë më tepër një koalicion fraksionesh të ndryshme sesa një lëvizje e vetme dhe koherente, për momentin ata duken të bashkuar pas udhëheqësve të vijës së ashpër dhe të përkushtuar ideologjikisht.
Farea al-Muslimi, një specialist për Jemenin dhe rajonin e Gjirit në institutin “Chatham House” në Londër, u shpreh se Houthët janë nënvlerësuar vazhdimisht ndër vite.
“Ata vërtet e kanë intensifikuar veprimtarinë e tyre dhe besojnë se tani mund të arrijnë diçka që do t’i ripozicionojë brenda rajonit. Për momentin, ata janë shumë të sigurt në vetvete dhe ndihen të fuqizuar… Por, edhe pse mendojnë se mund ta kontrollojnë këtë [përshkallëzim], kjo mund të jetë thjesht një iluzion”, tha ai. /Telegrafi/






