Tifozët vunë re një detaj interesant në debutimin e Portugalisë në Kupën e Botës 2026 kundër Republikës Demokratike të Kongos. Ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës, kapiteni Cristiano Ronaldo mbante një simbol të veçantë në fanellën e tij.
Ylli portugez kishte të vendosur një stemë me mbishkrimin “Legacy” poshtë logos së Kupës së Botës në mëngën e djathtë.
Ky është një vlerësim special që FIFA ua ka rezervuar futbollistëve që kanë marrë pjesë në pesë ose më shumë edicione të Kupës së Botës.
Në turneun e sivjetmë, vetëm disa legjenda të futbollit kanë të drejtën ta mbajnë këtë simbol. Mes tyre janë Cristiano Ronaldo, Lionel Messi dhe Luka Modrić, emra që kanë shkruar historinë e futbollit ndërkombëtar gjatë dy dekadave të fundit.

Një nder për legjendat e Kupës së Botës
Ronaldo dhe Messi debutuan në Kupën e Botës në vitin 2006 dhe tashmë po marrin pjesë në Botërorin e tyre të gjashtë, një arritje historike në futbollin modern.
Edhe kapiteni i Kroacisë, Luka Modrić, është pjesë e këtij grupi elitar, ndërsa portieri meksikan Guillermo Ochoa, pavarësisht se është përfshirë në gjashtë Botërorë, nuk e mban stemën pasi ka luajtur vetëm në tre prej tyre.
Ndërkohë, Manuel Neuer dhe Yuto Nagatomo janë gjithashtu mes lojtarëve që përfitojnë nga ky vlerësim falë paraqitjeve të shumta në skenën më të madhe të futbollit.
FIFA prezanton simbole të reja në Botërorin 2026
Stema “Legacy” është pjesë e një serie risish që FIFA ka sjellë në Kupën e Botës 2026. Kombëtaret që kanë fituar më parë trofeun e Botës mbajnë logon e artë të turneut në fanellat e tyre, ndërsa fituesit e mëparshëm të “Këpucës së Artë” lejohen të mbajnë një simbol të veçantë që kujton suksesin e tyre.
Në këtë kategori bëjnë pjesë James Rodríguez, fituesi i vitit 2014, Harry Kane në vitin 2018 dhe Kylian Mbappé në vitin 2022.
Ndërkohë, futbollistët që po luajnë për herë të parë në një Kupë Bote mbajnë stemën “Debut”, një mënyrë për të shënuar pjesëmarrjen e tyre të parë në turneun më prestigjioz të futbollit. /Telegrafi/





