Ajo që nisi në shtator në Francë, me nxënës që protestonin kundër klasave të mbipopulluara dhe mungesës së mësuesve, është shndërruar në një pakënaqësi më të gjerë lidhur me koston e jetesës dhe shkurtimet e planifikuara në shërbimet publike.
Protestues në Shqipëri, Belgjikë, Greqi, Itali, Portugali dhe Spanjë kanë dalë gjithashtu në rrugë për shkak të mungesës së banesave të përballueshme, rritjes së kostove dhe dështimit të shërbimeve publike – ndërsa shumë të rinj shprehen se nuk presin më të kenë një jetë më të mirë se prindërit e tyre.
Përballë kësaj pakënaqësie ndodhen udhëheqës si presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe kryeministri portugez Luis Montenegro.
Sanchez i përket së majtës, Meloni së djathtës, ndërsa Macron dhe Montenegro janë centristë me prirje konservatore.
Por, ndonëse qëndrimet e tyre politike ndryshojnë, të gjithë përballen me një trazirë në rritje për shkak të kostove tejet të larta të jetesës, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.
A janë ata të shkëputur nga përvojat dhe ndjesitë e të rinjve në vendet e tyre?
Al Jazeera paraqet në mënyrë vizuale se si kanë ndryshuar çmimet, pagat, strehimi dhe arsimi në Francë, Itali, Spanjë dhe Portugali gjatë 26 viteve të fundit – periudhë që përkon me kohën kur Macron, Meloni, Sanchez dhe Montenegro ishin në të njëzetat e tyre, ashtu si shumë nga protestuesit që janë të zemëruar me ta.
Sa më e shtrenjtë është jeta sot krahasuar me vitin 2000?
Sipas Eurostat – agjencisë së statistikave të Bashkimit Evropian – çmimet për artikujt e përditshëm, si ushqimet, energjia, transporti dhe faturat, janë rritur me 59 deri në 78 për qind që nga viti 2000 në Francë, Itali, Spanjë dhe Portugali.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit (HICP) i këtij institucioni shërben si matës zyrtar në BE për koston e mallrave dhe shërbimeve të përditshme.
Spanja regjistroi rritjen më të lartë, prej 78 për qind; e ndjekur nga Portugalia me 71 për qind, Italia me 68 për qind dhe Franca me 59 për qind.
Kjo do të thotë se mallrat dhe shërbimet që në vitin 2000 kushtonin 100 euro (112 dollarë), sot kushtojnë rreth 178 euro (200 dollarë) në Spanjë, 171 euro (192 dollarë) në Portugali, 168 euro (188 dollarë) në Itali dhe 159 euro (178 dollarë) në Francë.
Çmimet u rritën mesatarisht me rreth 2 për qind në vit, por pësuan një rritje të menjëhershme në vitin 2022, kur inflacioni vjetor arriti në 8,7 për qind në Itali, 8,3 për qind në Spanjë, 8,1 për qind në Portugali dhe 5,9 për qind në Francë – shkalla më e lartë në të katër vendet të paktën që nga viti 2000.
Kjo rritje e theksuar erdhi kryesisht si pasojë e kostove të energjisë, të cilat u rritën ndjeshëm pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Sipas Eurostat-it, deri në tetor të atij viti – tetë muaj pas fillimit të luftës – çmimet e energjisë në të gjithë Eurozonën ishin pothuajse 42 për qind më të larta se një vit më parë, ndërsa edhe çmimet e ushqimeve po rriteshin me shpejtësi.
Midis viteve 2021 dhe 2023, çmimet në këto katër vende u rritën me 12 deri në 15 për qind.
Pagat nuk arritën ta ndiqnin këtë ritëm dhe, duke qenë se çmimet nuk bien sërish edhe pasi inflacioni zbutet, shumë familje vazhdojnë ta ndiejnë ende presionin financiar.
Si kanë ndryshuar pagat?
Nëse merret parasysh inflacioni, paga mesatare me kohë të plotë në Itali ka rënë me pothuajse 5 për qind midis viteve 2000 dhe 2025.
Sipas të dhënave të OECD-së për pagat, të përshtatura me indeksin e çmimeve të Eurostat-it, gjatë së njëjtës periudhë, pagat reale janë rritur me 7 për qind në Spanjë, 11 për qind në Francë dhe 20 për qind në Portugali.
Jaime Velazquez, një gazetar në Madrid, deklaroi për emisionin “Inside Story” të Al Jazeera-s se, në Spanjë, shumica e vendeve të reja të punës janë krijuar në sektorin e turizmit dhe shërbimeve; këto vende pune shpesh kanë qenë sezonale dhe me paga të ulëta.
E Julius Fintelmann, bashkëthemelues dhe kryeredaktor i “The European Correspondent”, u shpreh se shoqëritë që po plaken po kufizojnë mundësitë për punonjësit më të rinj.
Ai shtoi se hendeku i pagave midis punonjësve më të vjetër dhe atyre më të rinj është zgjeruar prej dekadash në ekonomitë me të ardhura të larta; për pasojë, premtimi se çdo brez do të jetë në një gjendje më të mirë se brezi paraardhës, nuk qëndron më.
Si ka ndryshuar kostoja e strehimit?
Sipas treguesit të OECD-së për raportin midis çmimeve të banesave dhe të ardhurave, strehimi është bërë më i vështirë për t’u përballuar në të katër vendet që nga viti 2000.
Ky tregues ofron një pasqyrë të gjerë se si kanë ndryshuar çmimet e banesave në raport me të ardhurat gjatë kësaj periudhe.
Kur çmimet rriten më shpejt se të ardhurat, ky raport rritet, çka tregon se, mesatarisht, banesat po bëhen më të vështira për t’u përballuar financiarisht.
Megjithatë, ky tregues nuk tregon se cilat familje apo rajone janë prekur më rëndë, nuk merr parasysh kostot e kredive hipotekare dhe huamarrjes, si dhe nuk ofron asnjë informacion mbi cilësinë e banesave për të cilat njerëzit paguajnë.
Spanja ka shënuar ndryshimin më të madh. Raporti midis çmimeve dhe të ardhurave atje është 56 për qind më i lartë se në vitin 2000, edhe pas rënies së ndjeshme që pasoi krizën financiare të vitit 2008.
Në Francë, ky raport është 39 për qind më i lartë se në vitin 2000, ndonëse ka pësuar një ulje të lehtë pas kulmit të arritur në vitin 2022.
Italia përbën përjashtimin, ku çmimet e banesave kanë ecur përgjithësisht në të njëjtin hap me të ardhurat, duke bërë që raporti të jetë vetëm 5 për qind më i lartë se në vitin 2000.
Portugalia ka përjetuar ndryshimin më të theksuar vitet e fundit. Pas vitit 2000, raporti midis çmimeve dhe të ardhurave atje ra vazhdimisht për 15 vjet, çka nënkuptonte se banesat u bënë më të përballueshme. Por, që nga viti 2015, ky raport është rritur me 67 për qind.
OECD publikon raportin çmim-të-ardhura, duke marrë vitin 2015 si vit referencë.
Për ta krahasuar me të dhënat mbi pagat dhe çmimet në këtë artikull, të cilat nisin nga viti 2000, Al Jazeera thotë se i ka rillogaritur shifrat duke vendosur vitin 2000 si bazë (2000 = 100).
Si kanë ndryshuar shpenzimet shtetërore për arsimin?
Arsimi ka qenë në thelb të trazirave në Francë, ku protestat nisën për shkak të klasave të mbipopulluara dhe mungesës së mësuesve.
Ndërkohë, në Belgjikë dhe Shqipëri, protestuesit kanë dalë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe vështirësive në qasjen ndaj universiteteve.
Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, shpenzimet publike të Francës për arsimin arrijnë në 5,1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), krahasuar me 5,6 për qind në vitin 2000.
Italia shpenzoi 4,4 për qind të PBB-së së saj për arsimin, krahasuar me 4 për qind në vitin 2024; Spanja shpenzoi 4,1 për qind në vitin 2000 dhe po aq në vitin 2024. Portugalia shpenzoi 4,8 për qind në vitin 2000 dhe 4,3 për qind në vitin 2024. /Telegrafi/






