Prokuroria: Vrasja e rreshterit Muhamet Lika ishte e planifikuar

Nacionale

Ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor për rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Në fjalën hyrëse, prokurori Ismet Rrahmani tha se provat materiale dhe video-incizimet e kamerave të sigurisë dëshmojnë se vrasja ishte e planifikuar dhe se të akuzuarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe […]

Madhësia e shkronjave

Ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor për rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Në fjalën hyrëse, prokurori Ismet Rrahmani tha se provat materiale dhe video-incizimet e kamerave të sigurisë dëshmojnë se vrasja ishte e planifikuar dhe se të akuzuarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.

Sipas Rrahmanit, rreshteri Muhamet Lika më 1 prill 2025 rreth orës 22:54, pas përfundimit të orarit të punës u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion.

“Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, deklaroi prokurori Rrahmani.

Prokurori potencoi se sipas kamerave të sigurisë, Rejhan Bela është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa pesë të pandehurit e tjerë kanë vepruar në bashkëkryerje duke i ofruar ndihmë para, gjatë dhe pas ekzekutimit të krimit, raporton rtk.

Pas leximit të aktakuzës, gjashtë të akuzuarit u deklaruan sërish të pafajshëm.

Në seancë u deklarua edhe Violeta Mulaku-Lika, bashkëshortja e policit të ndjerë, e cila tha se i mbështet plotësisht pretendimet e Prokurorisë dhe kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë për vrasjen e bashkëshortit të saj.