Prishtina ka arritur ta fitojë ndeshjen e javës së pestë ndaj Drenicës, si mysafire në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me rezultat të thellë 4-1.
Skuadra nga kryeqyteti e nisi ndeshjen furishëm, duke shënuar që në start. Assane Diatta asistoi bukur për Kastriot Selmanin, i cili me një goditje akrobatike realizoi për 1-0.
Drenica shtoi presionin pas golit të pranuar dhe, pak pa u mbyllur pjesa e parë, arriti t’i barazojë shifrat. Shkëlzen Lushtaku shënoi me kokë pas harkimit të Genc Hamitit, duke e çuar rezultatin në 1-1.
Por Prishtina kishte ardhur për fitore në Skenderaj dhe me të filluar pjesa e dytë riktheu epërsinë. Harkimin e Kastriot Selmanit me kokë e ktheu në gol Diar Halili për 2-1.
Prishtina fitoi penallti në minutën e 57-të, ndërsa nga pika e bardhë i saktë ishte Assane Diatta, i cili shënoi për 3-1.
Krejt në fund, kishte kohë edhe për një tjetër gol të Prishtinës. Arianit Hasani, pas një pasimi të bukur nga Arfian Muja, realizoi për rezultatin përfundimtar 4-1.
Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në krye të renditjes me 12 pikë, ndërsa ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, atë ndaj Dritës. Në anën tjetër, Drenica mbetet në pjesën e poshtme të tabelës me vetëm tri pikë. /Telegrafi/






