Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së gruas në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për rastin.
Ajo u ka bërë thirrje organeve kompetente që, përveç rrethanave të vrasjes dhe përgjegjësisë penale të personave të dyshuar, të hetojnë edhe mënyrën se si janë trajtuar kërkesat e viktimës dhe veprimet e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin atë.
“Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj”, ka theksuar presidentja.
“Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan”, fjalët tronditëse që la vetë Arlinda Zekaj tri ditë para se të vritej

Shiroka Pula ka nënvizuar se çdo sinjal rreziku, kërkesë për ndihmë apo ankesë për mosveprim institucional duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.
“Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, ka deklaruar ajo.
Presidentja u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që të gjitha rrethanat e rastit të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Ajo ka theksuar gjithashtu se asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet shtetërore.
“Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë”, thuhet në reagimin e saj.
Avokatja e Arlindës kishte dorëzuar ankesë disiplinore ndaj prokurores, thotë se shteti e vrau
Në fund, presidentja u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, duke ritheksuar se mbrojtja e jetës së grave nuk mund të negociohet.
“Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”, ka përfunduar Shiroka Pula. /Telegrafi/