Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 11 shtetas, në lidhje me tubimet e zhvilluara në kryeqytet më 22 dhe 23 qershor 2026, të dyshuar për përfshirje në veprime që kanë penguar rendin dhe qetësinë publike.
Sipas njoftimit zyrtar, personat e proceduar në gjendje të lirë akuzohen për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Ata janë: D. G., 50 vjeç; I. D., 55 vjeç; E. E., 32 vjeç; E. B., 29 vjeç; V. D., 30 vjeç; E. Z., 26 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; B. K., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme nga ato të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”, në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës, si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.
Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë qarkullimi, është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. /euronews.al/






