Peter Due kërkon përgjegjësi për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc

Nacionale

Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka bërë thirrje që autorët e sulmeve në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc të mbahen përgjegjës, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor në Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Në mbledhjen e rregullt për Kosovën, Due theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të llogaridhënies për incidentet që kanë ndikuar në sigurinë në […]

Madhësia e shkronjave

Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka bërë thirrje që autorët e sulmeve në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc të mbahen përgjegjës, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor në Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Në mbledhjen e rregullt për Kosovën, Due theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të llogaridhënies për incidentet që kanë ndikuar në sigurinë në veri të vendit.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit po mbahet në kuadër të raportimit periodik të misionit të OKB-së, ku u diskutuan zhvillimet politike dhe të sigurisë për periudhën shtator 2025 – mars 2026.

Në këtë seancë, Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili paraqiti qëndrimet e institucioneve të vendit.

Sipas raportit të UNMIK-ut, situata në veri të Kosovës vlerësohet si e qetë, por mbetet e brishtë. Po ashtu, evidentohet progres i kufizuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Raporti përmend edhe zhvillimet e fundit zgjedhore, duke theksuar se zgjedhjet komunale dhe parlamentare janë zhvilluar në mënyrë paqësore dhe me pjesëmarrje të gjerë të komuniteteve.

Në të njëjtin dokument theksohet se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese në zgjedhjet parlamentare, ndërsa Albin Kurti është zgjedhur kryeministër, duke i dhënë fund bllokadës disamujore politike.

Megjithatë, raporti vë në pah edhe përplasjet institucionale, përfshirë mospajtimet për zgjedhjen e presidentit dhe vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, i cili më pas u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Në raport përmendet gjithashtu takimi i parë trepalësh për personat e zhdukur në Bruksel, si dhe angazhimi i përfaqësuesit të BE-së, Peter Sorensen, në takimet me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.