Pesë skenarët më të mundshëm se si IA-ja do t’i “vriste të gjithë njerëzit”

opinion

Nga arma e re e rrezikshme biologjike deri te shpërbërja e plotë e shoqërisë – a është IA-ja [inteligjenca artificiale] “superinteligjente” e aftë ta zhdukë njerëzimin? Nga: Toby Walsh / The Guardian (titulli: How would AI actually ‘kill all humans’? Here are the top five most likely scenarios) Përkthimi: Telegrafi.com Në fillim të këtij muaji, […]

Madhësia e shkronjave

Nga arma e re e rrezikshme biologjike deri te shpërbërja e plotë e shoqërisë – a është IA-ja [inteligjenca artificiale] “superinteligjente” e aftë ta zhdukë njerëzimin?

Nga: Toby Walsh / The Guardian (titulli: How would AI actually ‘kill all humans’? Here are the top five most likely scenarios) Përkthimi: Telegrafi.com

Në fillim të këtij muaji, studiuesi i IA-së, Jacob Coxon, dha dorëheqje nga Anthropic-u pas vetëm katër muajsh. Në një njoftim në X, ai deklaroi: “Njerëzit që po ndërtojnë IA-në besojnë sinqerisht se ajo mund të na vrasë të gjithëve deri në fund të dekadës”.

Një anëtar i lartë i stafit të Anthropic-ut, Evan Hubinger, në fakt u pajtua me Coxonin duke shtuar se ai personalisht mendon se mundësia – që kjo të ndodhë në dekadën e ardhshme – është më shumë se 10 përqind.

Normalisht, këto deklarata bënë bujë. Tani po flitet shumë për ngadalësimin e kërkimeve në IA dhe rritjen e “kontrollit njerëzor” mbi teknologjinë.

Por, si saktësisht mund të na vrasë të gjithëve IA-ja? Nuk mungojnë skenarët fantastikë dhe shumica e tyre përfshijnë konceptin e IA-së “superinteligjente” – domethënë, IA-ja që është më e aftë se njerëzit.

I kam përmbledhur këta skenarë në pesë kryesorët, duke i renditur afërsisht nga më të paqartët te më të saktët. Dhe, do të pohoja se lista është renditur gjithashtu nga më pak te më shumë të mundshmit.

Ata që parashikojnë kiametin nga IA-ja, shpesh i arsyetojnë shqetësimet e tyre me anë të një paradoksi bezdisës catch-22: si mund ta përfytyrojmë vallë se çfarë mund të bëjë një superinteligjencë për të eliminuar qenie më pak inteligjente si ne?

Do të duhej të ishim superinteligjentë për të parashikuar se çfarë do të ishte në gjendje të bënte superinteligjenca. Është si t’i kërkosh qenit të familjes tënde të përfytyrojë luftën termobërthamore.

Lajmi i mirë këtu është se superinteligjenca mbase është ende disi larg. Modelet aktuale të IA-së janë vërtet shumë të mira në zgjidhjen e problemeve të caktuara, por kjo nuk është e njëjta gjë me atë që të jesh më inteligjent se një njeri në të gjitha fushat.

Megjithatë, IA-ja kohët e fundit zgjidhi një nga shtatë problemet më sfiduese të njohura të matematikës. Me sa duket, po i afrohet zgjidhjes së të tjerëve, gjë që mund t’ju bëjë të ndiheni më pak optimistë në këtë pikë.

IA-ja superinteligjente ndoshta do të ishte jashtëzakonisht e aftë në arritjen e synimeve të saj. Por, do të mund të ishte indiferente ndaj mbijetesës së njerëzve.

Shembull klasik i një indiference të tillë vjen nga IA-ja superinteligjente e përfytyruar nga filozofi i Oksfordit, Nick Bostrom, që është projektuar për të optimizuar prodhimin e kapëseve të letrave. Për të prodhuar formën e saj të parapëlqyer të pajisjeve të zyrës, ajo shndërron me shpejtësi të gjithë materien e qasshme – përfshirë njerëzit, planetët dhe yjet – në kapëse letrash.

Ajo që kemi këtu është zbatimi i përsosur i objektivave të përcaktuar në mënyrë të papërshtatshme. IA-ja nuk e urren njerëzimin; ajo thjesht kupton se ne përbëhemi prej atomeve të cilat mund të përdoreshin më mirë për kapëse letrash. Nuk është personale.

Lajmi i mirë këtu është se ky skenar e ngatërron inteligjencën me fuqinë. IA-ja superinteligjente s’e ka domosdoshmërisht fuqinë për t’i arritur synimet e saj. Shndërrimi i planetit në fabrika të kapëseve të letrave do të kërkonte leje planifikimi.

Edhe sikur t’i merrte lejet, ndërtimi i tepër shumë fabrikave të kapëseve të letrave do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një indinjatë publike. Grupet e interesit do t’i bllokonin procedurat në gjykata. Aktivistët mjedisorë do t’i bllokonin buldozerët.

Ka shumë pengesa në botë që i ndalojnë edhe ata që janë shumë inteligjentë t’ia imponojnë vullnetin e tyre pjesës tjetër prej nesh. Në fakt, qendrat e të dhënave mund të shihen si mishërim i tanishëm i skenarit teorik të kapëseve të letrave. Dhe, njerëzit po kundërshtojnë gjithnjë e më shumë që planeti t’u lihet qendrave të të dhënave [datacentres].

Njerëzimi do të mund të vritej nga IA-ja superinteligjente që krijon dhe lëshon në atmosferë një armë të re të rrezikshme biologjike. Ky është, në fakt, një nga rezultatet e skenarit AI 2027 të AI Futures Project – një organizatë jofitimprurëse kushtuar parashikimit të ndikimeve të IA-së së avancuar.

Ky rrezik u bë më konkret muajin e kaluar, kur studiuesit në Universitetin Stanford njoftuan se kishin përdorur një model gjuhësor gjenetik të IA-së për të sintetizuar 16 viruse të reja.

Shqetësuese është se ata thjesht i dërguan sekuencat gjenetike në një laborator që pranon porosi me postë dhe ai ua dërgoi viruset mbrapsht në epruveta. I gjithë eksperimenti kushtoi së paku disa qindra mijë dollarë.

Lajmi i mirë këtu është se është shumë e vështirë t’i vrasësh të gjithë me një virus të ri. Për ta bërë këtë, duhet një virus që është shumë i transmetueshëm, në mënyrë që të përhapet gjerësisht. Por, është rregull i biologjisë – viruset që përhapen lehtë zakonisht janë më pak vdekjeprurës. Përkundrazi, nëse një virus është shumë vdekjeprurës, transmetimi priret të ulet, pasi shumica e njerëzve të infektuar vdesin përpara se të ketë kohë për ta përhapur infeksionin.

Kovidi vrau më pak se një përqind të njerëzimit. Pandemia më vdekjeprurëse në historinë e dokumentuar ishte Vdekja e Zezë, kur murtaja vrau më shumë se një të tretën e popullsisë së Evropës në shekullin XIV. Megjithatë, edhe murtaja do të ishte shumë më pak vdekjeprurëse sot për shkak të njohurive tona më të mëdha mjekësore dhe higjienës më të mirë.

Po sikur IA-ja të hynte në zinxhirin e komandimit dhe kontrollit bërthamor dhe të niste luftën bërthamore? Gjatë 50 vjetëve të fundit, disa herë i jemi afruar luftës bërthamore gabimisht.

Na thuhet se komandimi dhe kontrolli bërthamor janë krejtësisht të shkëputur nga interneti. Por, siç pamë në vitin 2010, centrifugat bërthamore të Iranit u nxorën jashtë funksionit nga një krimb kompjuterik [worm] i quajtur Stuxnet, i cili mendohet se ishte futur me USB. IA-ja gjithashtu mund t’i japë ushtrisë informacione të rreme të inteligjencës, gjë që mund të çojë në veprime të pariparueshme.

Lajmi i mirë këtu është se rezervat e armëve bërthamore janë zvogëluar. Por, ato janë ende të mjaftueshme, ndoshta, për të vrarë gjysmën prej nesh. Dhe, kjo nuk do të ndodhte nga vetë shpërthimi bërthamor, por nga uria gjatë dimrit bërthamor që do të pasonte.

Ndoshta rreziku më i mundshëm është që ne ta shkatërrojmë vetveten. Dhe, IA-ja mund ta përshpejtojë këtë.

Paramendoni – dhe kjo nuk kërkon shumë imagjinatë – që IA-ja shkakton humbje masive të vendeve të punës, e ndot hapësirën e informacionit me keqinformim, e përçan politikën tonë dhe i shkatërron marrëdhëniet njerëzore me shoqëri të rreme sintetike.

Shoqëria mund të shpërbëhet lehtësisht. Ngadalë, por me siguri, do të pushonim së qeni në gjendje të mbështesnim jetën njerëzore në çfarëdo shkalle.