Përplasja për autostradën “Ibrahim Rugova”, Basha i reagon Ramës

Nacionale

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me kontratat e nënshkruara për sanimin e skarpateve në autostradën Autostrada Ibrahim Rugova. Basha ka thënë se Rama po manipulon opinionin publik kur pretendon se kontratat në vlerë prej 4.67 milionë eurosh kanë të bëjnë vetëm me […]

Madhësia e shkronjave

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me kontratat e nënshkruara për sanimin e skarpateve në autostradën Autostrada Ibrahim Rugova.

Basha ka thënë se Rama po manipulon opinionin publik kur pretendon se kontratat në vlerë prej 4.67 milionë eurosh kanë të bëjnë vetëm me heqjen e dheut nga autostrada.

Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpateve në tri segmente të autostradës dhe jo për ndërhyrje të thjeshta pastrimi.

“Pra nuk bëhet fjalë për ‘heqje dheu’, siç po manipulon Kryetari Rama dhe siç është raportuar në disa portale, por për projekte të sanimit të plotë të skarpateve në tri segmente të autostradës”, ka deklaruar Basha.

Ai ka hedhur poshtë gjithashtu lidhjen që Rama i ka bërë këtyre kontratave me aksidentin tragjik të fundjavës në autostradë, ku humbi jetën një grua.

Sipas Bashës, në momentin e aksidentit autostrada kishte qenë e pastruar nga dheu, ndërsa autoritetet janë në pritje të raportit zyrtar të Policisë së Kosovës për shkaqet e ngjarjes.

“Një ligësi tjetër është manipulimi me aksidentin që ndodhi gjatë vikendit. Siç është e njohur për publikun, autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore”, ka theksuar ai.

Ministri në detyrë i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës, duke shtuar se është për të ardhur keq që, sipas tij, tragjedia po përdoret për përfitime politike.

“Familjes së të ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që ka shkaktuar ky aksident, Kryetari Rama dhe disa të tjerë po përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga kjo tragjedi”, ka deklaruar Basha.

Në fund të reagimit, ai ka akuzuar kundërshtarët politikë për mashtrim dhe manipulim, duke thënë se qytetarët tashmë i njohin dhe po i gjykojnë përmes votës./Telegrafi.