Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Lartësitë e Golanit i përkasin Izraelit dhe se flamuri izraelit do të vazhdojë të valëvitet në këtë territor.
“Këtu valëvitet flamuri izraelit dhe do të vazhdojë të valëvitet, sepse kjo është toka jonë. Sot është e jona, është rikthyer të jetë e jona dhe do të jetë gjithmonë e jona”, tha ai.
Lartësitë e Golanit janë një territor strategjik në jugperëndim të Sirisë, në kufi me Izraelin.
Izraeli mori kontrollin e pjesës më të madhe të Golanit gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe e aneksoi atë në vitin 1981, një veprim që nuk është njohur nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.
Territori ka rëndësi të madhe strategjike për shkak të pozitës së tij të lartë mbi Galilenë dhe pjesë të Sirisë, si dhe për burimet ujore dhe tokat bujqësore. Lartësitë shtrihen në rreth 1800 kilometra katrorë, ndërsa pjesa nën kontrollin izraelit është rreth 1200 kilometra katrorë.
Sipas Izraelit, kontrolli i Golanit është i domosdoshëm për sigurinë e vendit. Siria, ndërkaq, e konsideron territorin të pushtuar dhe kërkon rikthimin e tij.
Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara, gjatë administratës së presidentit Donald Trump, njohën sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e Golanit. Megjithatë, Kombet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e shteteve vazhdojnë ta konsiderojnë territorin si të pushtuar sirian.
Deklarata e Netanyahut vjen në një periudhë të ndjeshme për marrëdhëniet mes Izraelit dhe Sirisë, duke e bërë çështjen e Golanit një nga temat kryesore të sigurisë dhe territorit në rajon. /Telegrafi/






