“Për mua, vetëm ti ke rëndësi”, dalin letrat ‘intime’ që asistentja i shkroi Trumpit

Bota

Një seri letrash personale të asistentes së Donald Trumpit, Natalie Harp, drejtuar presidentit amerikan kanë shkaktuar debate në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të tonit tepër intim dhe emocional që përdoret në korrespondencë. Në letrat e saj, Harp i drejtohet Trumpit me shprehje si “Për mua, vetëm ti ke rëndësi” dhe “Nuk duhet të flasim […]

Madhësia e shkronjave

Një seri letrash personale të asistentes së Donald Trumpit, Natalie Harp, drejtuar presidentit amerikan kanë shkaktuar debate në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të tonit tepër intim dhe emocional që përdoret në korrespondencë.

Në letrat e saj, Harp i drejtohet Trumpit me shprehje si “Për mua, vetëm ti ke rëndësi” dhe “Nuk duhet të flasim gjithmonë për punën!”, ndërsa në një tjetër letër i shkruan se dëshiron të jetë pranë tij dhe të bisedojnë “për gjithçka dhe për asgjë”.

Në një prej mesazheve, ajo i kërkon presidentit që ta kritikojë kur gabon.

“Të lutem, kur të gaboj, a do të ma thuash? Ke të drejtë të më qortosh ashpër, nëse është e nevojshme, kur e meritoj, sepse askush nuk më njeh ose nuk më intereson më shumë se ti”, shkruan Harp.

Letrat janë shkruar gjatë ose menjëherë pas udhëtimit të Trumpit në pronat e tij në Aberdeen dhe Turnberry në Skoci dhe Doonbeg në Irlandë, në maj të vitit 2023.

Korrespondenca u publikua në formë të plotë nga “Daily Beast”.

Disa prej citimeve ishin bërë më herët publike nga komentatori Michael Wolff, i cili i kishte përfshirë në një libër mbi rizgjedhjen e Trumpit.

Raportohet se Harp është një prej ndihmëseve më të afërta të presidentit dhe ka fituar një rol të rëndësishëm në rrethin e tij.

Ajo është përgjegjëse për printimin e materialeve që Trump lexon dhe gjithashtu shkruan një pjesë të postimeve të tij në rrjetin social “Truth Social”.

Publikimi i letrave ka rikthyer vëmendjen te ndikimi që Harp ushtron në rrethin e presidentit. Sipas Wolff, dokumentet iu dorëzuan nga burime brenda fushatës së Trumpit, të cilat ishin të shqetësuara për afërsinë e saj me presidentin.

“Nuk është një marrëdhënie që duhet të ekzistojë në një kontekst profesional”, është shprehur Wolff në podcastin e tij.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, e ka mbrojtur Harpin, duke e cilësuar atë si një prej ndihmëseve më besnike dhe më të përkushtuara të Trumpit.

Ai i ka cilësuar raportimet kritike ndaj presidentit dhe administratës së tij si pjesë të “lajmeve të rreme”.

Debati u përshkallëzua pasi senatori demokrat Jon Ossoff bëri një koment të pahijshëm duke iu referuar asaj që ai e përshkroi si “udhëtimi me Natalie”. Shtëpia e Bardhë reagoi duke e sulmuar ashpër senatorin demokrat dhe duke e cilësuar atë si “të rrezikshëm”.

Ndryshe, roli i Harpit në Shtëpinë e Bardhë ka qenë në qendër të polemikave edhe më parë.

Ajo ka pasur për një periudhë të gjatë probleme me marrjen e miratimit nga shërbimet sekrete për të kaluarën e saj, një procedurë e rëndësishme për personat që kanë akses në materiale të lidhura me sigurinë kombëtare.

Megjithatë, shqetësimi kryesor brenda Shtëpisë së Bardhë lidhet me ndikimin e saj te presidenti.

Sipas raportimeve, Harp ka mundësi të vendosë se cilat materiale i paraqiten Trumpit dhe cilat jo, duke i dhënë asaj një rol të rëndësishëm në përcaktimin e informacionit që arrin te presidenti.

Ndërkohë, publikimi i letrave nuk ka sjellë deri tani prova për një marrëdhënie romantike mes Trumpit dhe Harpit.

Në mes të kësaj polemike, Melania Trump është shfaqur publikisht pranë bashkëshortit të saj.

Ajo u pa duke i mbajtur dorën Trumpit gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, ku mori pjesë në prezantimin e një nisme bamirësie me një donacion prej 2 milionë dollarësh.

“Dëgjova se ju mungova. Ja ku jam. Ja ku jam! Mirë se vini në Shtëpinë e Bardhë”, tha Melania Trump gjatë aktivitetit.