Është bërë e ditur se Drilona do të jetë për herë të parë pjesë e festivalit të humorit Shqip Up Comedy, i cili këtë vit do të mbahet për herë të parë në Këln të Gjermanisë, pas disa edicioneve shumë të suksesshme të zhvilluara më parë në Cyrih.
Në një video të publikuar së fundmi, ajo është shfaqur duke konfirmuar pjesëmarrjen e saj në këtë festival, duke ndarë lajmin me ndjekësit në mënyrën e saj karakteristike dhe plot humor.
Me stilin e saj komik, Drilona u shpreh se është shumë mirë që festivali po mbahet në Gjermani, duke shtuar me shaka se “gjermanët duhet të qeshin pak”.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se biletat janë drejt përfundimit, pasi interesimi i publikut ka qenë i madh.
Në të njëjtën video, ajo shtoi me humor se nuk dëshiron të dëgjojë arsyetime për mos blerjen e biletave, duke theksuar se mezi pret të dalë para publikut dhe të performojë në këtë festival. /Telegrafi/






