ideri i serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka ndryshuar qëndrim ndaj zhvillimeve politike në Serbi, duke deklaruar se Republika Serbe duhet të mbajë marrëdhënie të mira me pushtetin e ri në Beograd, pavarësisht se kush e udhëheq atë.
Deklarata e tij vjen pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, të cilën Dodik e kishte kundërshtuar ashpër gjatë fushatës, duke mbështetur hapur Aleksandar Vuçiqin.
Në një intervistë për televizionin ATV, Dodik tha se bashkëpunimi me autoritetet e zgjedhura në mënyrë demokratike në Serbi duhet të jetë prioritet për Republikën Serbe.
“Ne duhet të kujdesemi dhe të ndërtojmë marrëdhëniet më të mira me Serbinë. Marrëdhëniet më të mira me autoritetet janë prioriteti ynë kryesor politik”, deklaroi ai.
I pyetur për mbështetjen që i kishte dhënë Vuçiqit, Dodik kujtoi se në të kaluarën kishte mbështetur edhe ish-presidentin serb Boris Tadiq.
“Ne nga Republika Serbe duhet të veprojmë kështu. Duhet të jemi pranë njerëzve të zgjedhur zyrtarisht në Serbi”, tha Dodik.
Ai shtoi se kishte pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Vuçiqin, por theksoi se dëshiron të ketë marrëdhënie të mira edhe me përfaqësuesit e pushtetit të ri.
Ndryshimi i qëndrimit të Dodikut është veçanërisht i dukshëm duke pasur parasysh deklaratat e tij gjatë fushatës, kur kishte sulmuar studentët dhe Listën Studentore, duke i akuzuar për lidhje me interesa të huaja.
As një javë nuk ka kaluar pas humbjes së pushtetit, Vuçiq akuzon studentët për përndjekje politike
Madje, ai kishte paralajmëruar se ardhja e tyre në pushtet mund të kishte pasoja edhe për Republikën Serbe.
Megjithatë, pas fitores së tyre, Dodik i uroi studentët, duke shkruar se qytetarët e Serbisë kishin dëshmuar karakterin demokratik të vendit.
Ai kishte qenë i pranishëm edhe në selinë e Partisë Përparimtare Serbe në Beograd natën e zgjedhjeve, kur Vuçiqi pranoi humbjen.
Sipas mediumit serb “Nova”, një sjellje e ngjashme e Dodikut ishte vërejtur edhe në vitin 2012, kur fillimisht mbështeti Boris Tadiqin, por pas humbjes së tij shpejt u përshtat me pushtetin e ri të Tomislav Nikoliqit. /Telegrafi/