“Nisma nxit përçarje fetare”, Berisha: PD kundër shtetit bektashi, Shqipëria është vend laik

Nacionale

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar sërish nismën për krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një projekt “antikushtetues dhe antikombëtar”. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha tha se Partia Demokratike ka reaguar prej kohësh kundër kësaj nisme, duke iu referuar edhe deklaratave të tij të bëra në vitin […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar sërish nismën për krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një projekt “antikushtetues dhe antikombëtar”.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha tha se Partia Demokratike ka reaguar prej kohësh kundër kësaj nisme, duke iu referuar edhe deklaratave të tij të bëra në vitin 2024. Ai vuri në dukje se shteti shqiptar është laik dhe një nismë e tillë përpiqet të nxisë përçarje fetare.

“PD ka reaguar fuqimisht. Cilido që është i interesuar për reagimet e PD, i sugjeroj t’u referohet deklaratave të mia. Kam qenë në arrest shtëpie kur unë kam ngritur zërin kundër tij dhe duhet të ketë qenë janari i vitit 2024. Të njëjtin reagim dhe të fortë, PD ka bërë në vitin 2025. Dhe, në bindjen time më të thellë, ky është një akt në radhë të parë kundër bektashizmit shqiptar, i cili ka qenë dhe është një shtyllë e vërtetë e atdhetarisë.

Bektashinj ishin Frashërllinjtë, themeluesit e doktrinës së shqiptarisë. Bektashinjtë ishin rezistentët e pamposhtur ndaj pushtimeve dhe diktaturës. Ata kanë gjakun e tyre, besimin e tyre, kontributin e tyre në Shqipërinë e pavarur shtet sovran dhe nuk kanë luftuar kundër për një shtet bektashi.

Ata kanë frymëzuar unitetin kombëtar dhe kjo aventurë, e cila siç kemi deklaruar më parë, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, vjen në kundërshtim të hapur me karakterin laik të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij gjer sot, përpiqet të nxisë përçarje fetare në një vend ku toleranca dhe bashkëpunimi fetar është gjëja më madhështore në shpirtin e atij populli. PD ka qenë dhe është e prerë ndaj kësaj nisme antikushtetuese, antishqiptare, antikombëtare, e të tjera me radhë”, tha Berisha. /A2cnn/