Presidenti amerikan, Donald Trump, ka miratuar ekzekutimin me pushkatim të ish-majorit të ushtrisë amerikane Nidal Malik Hasan, i dënuar me vdekje për sulmin e vitit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas.
Nëse ekzekutimi kryhet, ai do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak në SHBA që nga viti 1961 dhe i pari me pushkatim që nga viti 1945. Vendimi u propozua nga sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndërsa Pentagonit i takon tani të përcaktojë hapat e mëtejshëm, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, njoftoi se sekretari i Ushtrisë do të përcaktojë kohën dhe vendin e ekzekutimit. Miratimi presidencial nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekzekutimi do të kryhet menjëherë, pasi Hasan mund të ndjekë ende rrugë të tjera ligjore për ta shtyrë atë.
Hasan, atëherë major dhe psikiatër i ushtrisë amerikane, hapi zjarr më 5 nëntor 2009 në një qendër mjekësore në Fort Hood, ku ushtarët po përgatiteshin për dislokim. Sulmi la të vrarë 13 persona, përfshirë 12 ushtarë aktivë dhe një ish-ushtarak, ndërsa 32 të tjerë u plagosën.
Në gjyqin ushtarak të vitit 2013, Hasan u shpall fajtor për 45 akuza, përfshirë vrasje dhe tentativë vrasjeje me paramendim, dhe u dënua me vdekje. Ai kishte pranuar se ishte personi që kishte kryer sulmin dhe tha se kishte vepruar për të parandaluar ushtarët amerikanë të shkonin në Afganistan dhe të luftonin kundër myslimanëve.
Ekzekutimet në sistemin ushtarak amerikan janë jashtëzakonisht të rralla. Hasan është njëri prej vetëm katër të burgosurve që aktualisht ndodhen në “death row” ushtarak në burgun Fort Leavenworth në Kansas.
Sipas ligjit ushtarak amerikan, një dënim me vdekje i dhënë nga gjykata ushtarake duhet të miratohet nga presidenti përpara se të zbatohet. Procesi përfshin gjithashtu shqyrtime gjyqësore dhe ankime, çka mund të nd
Ekzekutimi i fundit ushtarak në SHBA u krye në vitin 1961, kur ushtari John Bennett u var në Fort Leavenworth. Ndërsa ekzekutimi i fundit i njohur me pushkatim nga ushtria amerikane daton në nëntor 1945, kur u përdor pushkatimi me armë zjarri.
Pushkatimi është një metodë e rrallë ekzekutimi edhe në nivel shtetëror. Në vitin 2025, Karolina e Jugut kreu ekzekutimin e parë me pushkatim në SHBA pas 15 vitesh. Aktualisht, disa shtete amerikane e lejojnë këtë metodë.
Vendimi për Hasan vjen vetëm disa ditë pas dështimit të ekzekutimit të Christa Pike në Tennessee përmes injeksionit vdekjeprurës. Rasti ka rikthyer në vëmendje çështjen e metodave të ekzekutimit dhe vështirësive praktike që lidhen me injeksionet vdekjeprurëse.
Në rastin e Hasan, megjithatë, ende nuk ka një datë të caktuar për ekzekutimin dhe procedurat ligjore mund të zgjasin më tej procesin. /Telegrafi/






