Dardan Cena është ndalur në luftën e tretë në Kampionatin Botëror të xhudos në Baku të Azerbajxhanit, por largohet nga ngjarja më e madhe e vitit me një paraqitje që do të mbahet mend.
Xhudisti kosovar, që garon në kategorinë deri 73 kilogramë, e nisi ditën me fitore ndaj irlandezit Joshua Green, të cilin e mposhti me uazari. Më pas, Cena realizoi një nga fitoret më të mëdha të karrierës së tij, duke eliminuar legjendën gjeorgjiane Lasha Shavdatuashvili.

Përballja me Shavdatuashvilin zgjati më shumë se tetë minuta dhe u vendos në “Golden Score”, ku kosovari arriti ta detyronte kundërshtarin të merrte shidoun e tretë. Shavdatuashvili është kampion olimpik dhe botëror, ndaj triumfi i Cenës ishte një prej rezultateve më të rëndësishme të tij në karrierë.
Rrugëtimi i 23-vjeçarit u ndal në luftën e tretë, ku u përball me italianin Leonardo Valeriani.
Valeriani e nisi më mirë përballjen dhe realizoi aksion për uazari. Cena tentoi të reagonte dhe kërkoi mundësinë për ta kthyer luftën në favorin e tij, por italiani me përvojë e kontrolloi situatën dhe e mbylli duelin me mbërthim për ippon.
Megjithatë, dy fitoret në Baku përbëjnë një sukses të madh për Dardan Cenën. Në një kategori me 50 garues në Kampionatin Botëror, kosovari mposhti dy kundërshtarë dhe mbi të gjitha arriti të eliminojë një prej emrave më të mëdhenj të xhudos botërore.
Botërori në Baku po zhvillohet nga 4 deri më 10 tetor, me 622 garues nga 93 shtete, ndërsa kategoria 73 kg ishte njëra prej kategorive më të ngjeshura të garës./Telegrafi/





