Nga kartoni i kuq te rikthimi i madh, Muriqi gati për derbin me Besiktasin

Sport

Fenerbahçe dhe Besiktasi do të përballen të shtunën në një prej derbive më të mëdha të futbollit turk, me ndeshjen që nis nga ora 19:00. Në prag të kësaj sfide, vëmendja është edhe te lojtarët e Fenerbahçes që kanë përvojë të mëparshme në derbin ndaj rivalit nga Stambolli. Në mesin e tyre është edhe sulmuesi […]

Madhësia e shkronjave

Fenerbahçe dhe Besiktasi do të përballen të shtunën në një prej derbive më të mëdha të futbollit turk, me ndeshjen që nis nga ora 19:00.

Në prag të kësaj sfide, vëmendja është edhe te lojtarët e Fenerbahçes që kanë përvojë të mëparshme në derbin ndaj rivalit nga Stambolli. Në mesin e tyre është edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.

Që prej rikthimit në Fenerbahçe gjatë kësaj vere, Muriqi ka treguar formë të mirë. Në gjashtë paraqitje në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe në Superligën e Turqisë, ai ka shënuar tri gola dhe ka regjistruar një asistim.

Mediumi turk Milliyet ka veçuar katër futbollistë të Fenerbahçes me përvojë në përballjet me Besiktasin, ndërsa Muriqi është njëri prej tyre për shkak të historisë së tij në këtë duel.

Për sulmuesin kosovar, sfida e së shtunës do të jetë veçanërisht e rëndësishme, pasi do të jetë derbi i tij i parë kundër Besiktasit pas gjashtë vitesh.

Në fakt, përballja e fundit e Muriqit me fanellën e Fenerbahçes, para largimit nga klubi në vitin 2020, ishte pikërisht ndaj Besiktasit.

Ndeshja u zhvillua më 19 korrik 2020 dhe përfundoi me fitoren 2-0 të Beshiktashit.

Muriqi e kishte lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak që në minutën e 25-të, pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq.

Megjithatë, bilanci i tij ndaj Besiktasit në atë sezon kishte edhe një moment pozitiv. Në ndeshjen e parë mes dy skuadrave në edicionin 2019/20, Fenerbahçe triumfoi 3-1, ndërsa Muriqi ishte autor i golit që vulosi rezultatin përfundimtar.

Tani, gjashtë vjet më vonë, Muriqi rikthehet në këtë derbi në një tjetër kapitull të karrierës së tij me fanellën e Fenerbahçes.

Sulmuesi kosovar iu bashkua klubit turk këtë verë nga Mallorca, duke nisur kështu periudhën e dytë në një prej skuadrave më të mëdha të Turqisë. /Telegrafi/