Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, të cilët dyshohen për veprat penale “Grabitja”, “Vjedhja e rëndë” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale Grabitja”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve me inicialet T.B., A.J., A.K. dhe V.D., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale parapara dhe të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit T.B. dhe A.J., duke vepruar si bashkëkryerës, më 28 janar 2026 në qytetin e Pejës, me përdorimin e një mjeti të rrezikshëm dhe nën kanosje serioze ndaj punonjëses së një pike të transferimit të parave, kanë përvetësuar shumën prej 1,040 euro, duke kryer veprën penale ‘Grabitja’”, thuhet në njoftim.

Prokuroria njofton se T.B. dhe A.K. akuzohen edhe për një grabitje tjetër të ndodhur më 21 dhjetor 2025.
“Të pandehurit T.B. dhe A.K., duke vepruar si bashkëkryerës dhe nën përdorimin e një mjeti të rrezikshëm, kanë grabitur shumën prej 620 euro nga një barnatore në Pejë”, thuhet në aktakuzë.
Përveç këtyre rasteve, T.B. akuzohet edhe për veprën penale “Vjedhja e rëndë”, pasi dyshohet se më 27 janar 2026 fillimisht tentoi të hynte me forcë në një barnatore, ndërsa më pas depërtoi në një lokal tjetër, prej nga mori para dhe një telefon mobil, duke shkaktuar edhe dëme materiale.
Ndërkaq, e pandehura V.D. dyshohet se ka ndihmuar autorët pas kryerjes së grabitjes së 28 janarit.
“E pandehura V.D. dyshohet se u ka premtuar të pandehurve se do t’i fshihte pas kryerjes së veprës penale dhe më pas i ka transportuar me automjet në lokacione të ndryshme, deri në momentin kur janë arrestuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë./Telegrafi/





