Hansi Flick e ka quajtur “turp” largimin e Ronald Araujo nga Barcelona, duke konfirmuar praktikisht raportimet se mbrojtësi uruguaian është pranë transferimit në huazim te Liverpooli.
Araujo mungoi për disa muaj gjatë sezonit të parë të Flickut në krye të Barcelonës për shkak të një lëndimi në kofshë, ndërsa në mes të sezonit të kaluar iu dha edhe një periudhë pushimi për arsye personale.
Megjithatë, uruguaiani ishte pjesë e grupit të liderëve të skuadrës dhe në fillim të vitit 2026 mori edhe shiritin e kapitenit të Barcelonës, pasi Marc-Andre ter Stegen u largua në huazim te Girona.

Pavarësisht rolit të tij në dhomën e zhveshjes, situata në fushë ka qenë ndryshe. Araujo ka pasur kryesisht një rol rezervë kur ka qenë i gatshëm për lojë gjatë periudhës së Flickut.
Kjo, së bashku me nevojën e madhe të Liverpoolit për një qendërmbrojtës, ka bërë që transferimi i tij në Angli të jetë gjithnjë e më pranë.
“Ai është një djalë i shkëlqyer dhe një lojtar fantastik. Por stili i tij i lojës është ndryshe nga ajo që preferoj unë”, ka shpjeguar Flick, duke folur për arsyet pse Araujo nuk ka pasur një rol më të madh dhe pse klubi po e lejon të largohet.
“Ai është i fuqishëm, i shpejtë… është turp. Ka qenë e vështirë, sepse nuk kam mundur ta përfshij aq shumë sa do të doja. Ai është ndikuar nga gabimet e së kaluarës. Kemi folur. E kam parë duke u ndier mirë dhe i lumtur dhe i uroj gjithë të mirat”.
“Ndryshimet janë normale në jetë dhe në futboll”.
Pau Cubarsi dhe Gerard Martin u konsoliduan sezonin e kaluar si qendërmbrojtësit titullarë të Flickut. Edhe pas largimit të Araujo, të paktën përkohësisht, Barcelona ka ende Eric Garcian dhe Andreas Christensenin si alternativa në qendër të mbrojtjes.
Jules Kounde, i cili tashmë luan kryesisht si mbrojtës i djathtë, është gjithashtu një alternativë e mundshme në qendër.
Me largimin e Araujo, pritej që Frenkie de Jong të promovohej në rolin e kapitenit të parë të Barcelonës për këtë sezon. Megjithatë, mesfushori holandez është jashtë fushave për shkak të këputjes së ligamentit medial të gjurit./Telegrafi/





