Ilaçe të përdorura te pacientët me sëmundje malinje, me vlerë 336.000 denarë, u zbuluan në një kuti të ndihmës së shpejtë në një autobus në pikën kufitare Bogorodicë, në hyrje të Maqedonisë. Bëhet fjalë për 29 flakona me ilaçin “Xgeva”, të cilat, sipas Drejtorisë Doganore, janë tentuar të kontrabandohen nga një shofer autobusi, shtetas i Kosovës, kundër të cilit është ngritur kallëzim penal.
“Rasti u zbulua në hyrje të vendit në pikën kufitare Bogorodicë, ku gjatë një kontrolli të autobusit, në një kuti të ndihmës së shpejtë, u zbuluan gjithsej 29 flakona me vlerë 336 mijë denarë, 29 kuti, si dhe 30 etiketa vetëngjitëse të paketuara në një qese të zezë najloni”, njoftojnë nga Drejtoria Doganore.
Fotografitë e publikuara tregojnë se bëhet fjalë për ilaçin “Xgeva” prej 120 miligramësh, i cili përmban substancën aktive “denosumab” dhe përdoret, ndër të tjera, për të parandaluar komplikime serioze të kockave te pacientët me sëmundje të caktuara malinje.
Në pako shkruhet se ilaçi duhet të ruhet në një temperaturë prej 2 deri në 8 gradë celsius. Ende nuk dihet nëse këto kushte janë respektuar gjatë transportit në autobus.
Importi i ilaçit rregullohet në mënyrë të rreptë me leje nga institucionet kompetente, dhe transporti i tij i nënshtrohet standardeve të veçanta.
Sekuestrimi u krye nga një ekip mobil nga Departamenti për Çështje Operacionale, ndërsa Departamenti për Hetime ngriti padi penale kundër shoferit për “kontrabandë”.
Sipas Drejtorisë Doganore, më shumë se 30,000 copë ilaçe janë sekuestruar në pikat kufitare që nga fillimi i këtij viti./Telegrafi/
