Pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, i cili u dënua me një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Përmes një reagimi publik, Azemi ka kritikuar ashpër vendimin e drejtësisë, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
“Arlind Manxhuka dhe unë sot u dënuam nga 1 vit e 6 muaj burg, pa asnjë provë nga sistemi i vjetërsuar i drejtësisë që liron terroristët serbë”, ka shkruar Azemi.
Ai ka përmendur edhe dënimet ndaj të tjerëve të përfshirë në këtë rast. Azemi ka akuzuar institucionet e drejtësisë për standarde të dyfishta, duke i lidhur dënimet me raste të tjera që, sipas tij, nuk janë trajtuar njësoj.
“Ata që lirojnë terroristët serbë që gjuajnë bomba duan të na dënojnë neve aktivistëve shqiptarë vetëm sepse reaguam ndaj këtij skandali”, u shpreh deputeti.
Në reagimin e tij, deputeti ka përdorur edhe tone të ashpra politike ndaj institucioneve.
“Krejt kjo nga ata që i nënshtrohen Serbisë”, ka shkruar ai.
Në fund, ai ka theksuar se, pavarësisht dënimit, nuk do të ndalet në qëndrimet e tij.
“Kurrë nuk do të na mbyllin gojën. Rroftë Republika e Kosovës.”, tha Azemi. /Telegrafi/






