Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, lidhur me çështjen e organizimit të shërbimeve të transportit publik në kryeqytet.
Murati ka deklaruar se ofrimi i shërbimeve publike, përfshirë transportin urban, mund të realizohet edhe përmes operatorëve privatë, por vetëm nëse ndiqen procedurat e përcaktuara në Ligjin për Partneritet Publiko-Privat (PPP).

Sipas tij, çdo model bashkëpunimi i tillë duhet të kalojë nëpër procedura të rregullta ligjore, në mënyrë që të garantohet transparenca dhe të parandalohet keqpërdorimi i parasë publike.
“Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon ligji në fuqi, prandaj çdo marrëveshje apo kontratë e lidhur në këtë drejtim është në shkelje të plotë të Ligjit për PPP”, ka deklaruar Murati.
Ai ka shtuar se institucionet e rendit dhe drejtësisë duhet të ndërhyjnë sa më parë, me qëllim që, sipas tij, të parandalohet dëmtimi i buxhetit publik dhe të hetohet rasti.





