YouTuber-i më i ndjekur në botë, MrBeast, ka treguar një histori interesante se si një keqkuptim i vogël u shndërrua në kritikë masive në internet.
I ftuar në një ‘podcast’, MrBeast, emri i vërtetë i të cilit është Jimmy Donaldson, rrëfeu se dikush i kishte paguar darkën në një restorant.

Meqenëse nuk mori faturën, ai mendoi se gjithçka ishte e rregulluar dhe u largua pa lënë bakshish.
Të nesërmen, ai u përball me reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi në Reddit u përhap pretendimi se ai nuk lë bakshish, pavarësisht se njihet për dhurimin e shumave të mëdha parash.
MrBeast shpjegoi se nuk kishte parë fare faturën dhe se zakonisht nuk mban para në dorë, prandaj nuk kishte mundësi të linte bakshish.
Pas këtij incidenti, ai tha se ka ndryshuar sjellje dhe tani kërkon gjithmonë faturën, edhe kur dikush tjetër paguan për të, në mënyrë që të mund të lërë bakshish.
YouTuberi shtoi se fama sjell situata të pazakonta për të cilat askush nuk të përgatit dhe se shpesh duhet t’i mësosh vetë këto leksione. /Telegrafi/





