Mourinho zbulon gjithçka: Vendimi për afatin kalimtar, mbrojtja e Viniciusit dhe lajmi për Endrickun

Sport

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka dalë para mediave në prag të ndeshjes ndaj Real Sociedadit, teksa ka folur për rikthimin e tij në Santiago Bernabeu, situatën e Vinicius Junior dhe planet e klubit në ditët e fundit të afatit kalimtar. Madrilenët do të presin nesër Real Sociedadin në kampionat, në kuadër të ndeshjes […]

Madhësia e shkronjave

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka dalë para mediave në prag të ndeshjes ndaj Real Sociedadit, teksa ka folur për rikthimin e tij në Santiago Bernabeu, situatën e Vinicius Junior dhe planet e klubit në ditët e fundit të afatit kalimtar.

Madrilenët do të presin nesër Real Sociedadin në kampionat, në kuadër të ndeshjes së shtyrë nga java e parë.

Për Mourinhon do të jetë një rikthim i veçantë në Santiago Bernabeu, por portugezi ka insistuar se vëmendja duhet të jetë te skuadra dhe jo te ai.

“Nuk dua që Bernabeu të më presë në një mënyrë të veçantë. Dua që ta presë ekipin, sepse ai është pasioni i tifozëve. Unë nuk jam i rëndësishëm”.

“Jam në gjendje t’i kontrolloj emocionet e mia dhe të luaj normalisht një ndeshje që nuk është normale, sepse janë tre pikë. Do të doja që skuadra të ndiente diçka ndryshe nga ajo që ka përjetuar sezonin e kaluar”, deklaroi Mourinho.

Trajneri madrilen u ndal edhe te situata e Vinicius Junior, duke kritikuar ashpër trajtimin që braziliani po merr nga kundërshtarët.

“Është e dukshme diferenca e Viniciusit me shumë lojtarë të tjerë. Ai ka hyrë në një spirale ku kundërshtarët mendojnë se mund ta godasin dhe e bëjnë. Është si me fëmijët e vegjël, shkojnë deri aty ku i lejon të shkojnë”, tha ai.

Mourinho foli konkretisht edhe për një ndërhyrje ndaj brazilianit, duke e cilësuar si agresion që duhej të ndëshkohej me karton të kuq.

“I dhanë një goditje që ishte agresion dhe duhej të ishte karton i kuq. Mendoj se gjyqtari nuk e pa, ndërsa VAR-i nuk e bëri shumë mirë punën e tij. Megjithatë, unë kam besim te arbitrimi spanjoll”, shtoi trajneri.

“Për mua, skuadra është e mbyllur”

Sa i përket afatit kalimtar, Mourinho ka dhënë një sinjal të qartë se nuk pret afrime të tjera në ditët e fundit të afatit kalimtar.

“Për mua është e mbyllur, por afati kalimtar është ende i hapur. Nuk e di nëse një lojtar mund të vijë e të thotë se dëshiron të largohet. Në parim, jo, por është diçka që mund të ndodhë”.

“Në kokën time skuadra është e mbyllur dhe nuk kam bërë asnjë kërkesë. Jam i kënaqur. Nëse dikush largohet, do të jem i kënaqur me atë që kemi”, u shpreh portugezi.

Në fund, Mourinho foli edhe për Endrickun, duke zbuluar se sulmuesi brazilian po përballet me një problem fizik që prek muskujt dhe tendinin.

“Nuk mund të them me siguri. Ka një problem në muskul që prek edhe tendinin. Është një lojtar që më pëlqen shumë dhe ka pasur shumë kontakte nga klube të tjera”.

“Unë e kam dashur në skuadër dhe për këtë arsye nuk e kam lejuar të huazohet apo të shitet. Nuk jam i sigurt nëse do të jetë në grumbullimin e parë me Ancelottin, por Carlo është mik dhe do të më telefonojë drejtpërdrejt”, përfundoi Mourinho. /Telegrafi/