Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim kundër HPV-së, në Maqedoni një 18-vjeçare është diagnostikuar me kancer të qafës së mitrës

Rajon

Kanceri i qafës së mitrës po prek edhe moshat gjithnjë e më të reja. Në Maqedoni, pacientja më e re e diagnostikuar me këtë sëmundje është vetëm 18 vjeçe. Infeksioni me virusin HPV mund të qëndrojë në organizëm për vite të tëra pa shfaqur simptoma, ndërsa infeksioni i vazhdueshëm me lloje të rrezikshme të virusit […]

Madhësia e shkronjave

Kanceri i qafës së mitrës po prek edhe moshat gjithnjë e më të reja. Në Maqedoni, pacientja më e re e diagnostikuar me këtë sëmundje është vetëm 18 vjeçe.

Infeksioni me virusin HPV mund të qëndrojë në organizëm për vite të tëra pa shfaqur simptoma, ndërsa infeksioni i vazhdueshëm me lloje të rrezikshme të virusit mund të çojë në zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, paralajmërojnë mjekët.

Me rastin e Ditës Botërore për Eliminimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, Asociacioni Maqedonas i Gjinekologëve dhe Obstetërve (MAGO) apeloi për vaksinim të vajzave dhe djemve kundër HPV-së, si dhe për kontrolle të rregullta gjinekologjike dhe skrining.

Sipas mjekëve, vaksinimi para fillimit të aktivitetit seksual është një nga masat më të rëndësishme parandaluese. Vaksina mbron nga llojet më të rrezikshme të HPV-së, të cilat mund të shkaktojnë kancer jo vetëm te gratë, por edhe te burrat.

Në Maqedoni, që nga viti 2024 aplikohet vaksina nëntëvalente kundër HPV-së, e cila mbron nga nëntë lloje të virusit, shtatë prej të cilave janë me rrezik të lartë.

Mjekët po diskutojnë gjithashtu mundësinë e zgjerimit të vaksinimit falas deri në moshën 26-vjeçare, ndërsa apelojnë që prindërit të mos e neglizhojnë vaksinimin e fëmijëve.

Sipas ekspertëve, me vaksinim më të gjerë dhe zbulim të hershëm të ndryshimeve parakanceroze, kanceri i qafës së mitrës mund të bëhet një sëmundje e së kaluarës.