“Më vjen keq, por…”: Pse “më fal” nuk vlen asgjë kur pas saj vjen kjo fjalë

shendetesi

“Më vjen keq, por…”: Pse “më fal” nuk vlen asgjë kur pas saj vjen kjo fjalë Psikologët thonë se një kërkimfalje e vërtetë nuk kërkon justifikime, nuk fajëson tjetrin dhe nuk mbaron me një “por”. Një “më fal” nuk vlen asgjë nëse pas saj vjen fjala “por”. Kjo lidhëz e vogël çdo pendim të sinqertë […]

Madhësia e shkronjave

“Më vjen keq, por…”: Pse “më fal” nuk vlen asgjë kur pas saj vjen kjo fjalë

Psikologët thonë se një kërkimfalje e vërtetë nuk kërkon justifikime, nuk fajëson tjetrin dhe nuk mbaron me një “por”.

Një “më fal” nuk vlen asgjë nëse pas saj vjen fjala “por”. Kjo lidhëz e vogël çdo pendim të sinqertë e shndërron në një sulm të ri, ndërsa personin tjetër e lëndon më shumë sesa vetë veprimet që çuan në konflikt.

Arti i kërkimfaljes së sinqertë dhe në kohën e duhur është një lloj lubrifikuesi që i mban në lëvizje marrëdhëniet e shëndetshme, qoftë në çift, në miqësi apo në familje. Pa këtë aftësi, konfliktet mbeten të ngulitura në marrëdhënie dhe gradualisht e dëmtojnë atë nga brenda.

Një “më fal” e sinqertë është shumë më tepër sesa mirësjellje e zakonshme. Ajo kërkon guxim dhe përballje me papërsosmërinë tonë.

Për mënyrën se si duhet kërkuar falje dhe si ruhet afërsia në marrëdhënie flet dr. David Wexler, psikolog klinik dhe psikoterapeut nga San Diego, i cili për dekada është marrë me marrëdhënie konfliktuoze dhe dhunë familjare, transmeton Telegrafi.

Pengesa kryesore për një kërkimfalje të sinqertë është nevoja e njerëzve për të mbrojtur egon e tyre.

“Kur thoni: ‘Më vjen keq që bërtita ndaj teje, por ti nuk më dëgjoje’, ju në të vërtetë nuk po kërkoni falje, por po kërkoni justifikim për sjelljen tuaj”, shpjegon dr. David Wexler.

Sipas tij, një kërkimfalje e vërtetë fokusohet vetëm te sjellja e personit që po kërkon falje.

“Kërkimfaljet janë për atë që keni bërë ju, prandaj mos u përpiqni fshehurazi t’ia kaloni fajin personit tjetër. Dhe mos prisni asgjë në këmbim. Detyra e tyre nuk është t’ju falin derisa të jenë gati, nëse ndonjëherë do të jenë”, thekson ai.

Ai shton se empatia ndaj dhimbjes së personit tjetër është thelbësore.

Psikologu shpjegon se qëllimi nuk është gjithmonë vendimtar për nevojën për të kërkuar falje. Edhe nëse nuk kemi dashur të lëndojmë dikë ose nuk kemi qenë të vetëdijshëm për ndikimin e veprimeve tona, kërkimfalja sërish është e nevojshme.

Megjithatë, për këtë nevojitet stabilitet i brendshëm.

“Për të kërkuar falje me sukses, duhet të keni një platformë të fortë vetërespekti, që të mos shembeni nga turpi. Sa më shumë vetërespekt të keni, aq më mirë mund ta përballoni goditjen ndaj egos, sepse pranimi i gabimeve nuk ju bën njeri të dështuar apo të përbuzur. Vetëm njeri të papërsosur”, kujton dr. Wexler.

Që një kërkimfalje të pranohet mirë, ajo duhet të përmbajë katër elemente të pandashme.

Gjithçka fillon me një fjali të thjeshtë: “Më vjen keq”. Në këtë hap nuk ka vend për zbukurime, arsyetime apo justifikime.

“Pa racionalizime, pa justifikime, pa shmangie. Vetëm një deklaratë e thjeshtë se ju vjen keq dhe për çfarë ju vjen keq”, thotë psikologu.

Procesi fillon me përshkrimin e qartë të gabimit dhe pranimin e plotë të përgjegjësisë.

– “Më vjen shumë keq që fillova të të tall para miqve të tu.”– “Ndihem tmerrësisht keq për atë aferë dhe më vjen sinqerisht keq që të lëndova.”– “Më fal që harrova ta paguaj atë faturë.”

“Mbani mend: pa ‘por’ kur kërkoni falje. Edhe nëse partneri juaj ka gjithashtu arsye për të kërkuar falje, kërkimfalja e vërtetë fokusohet vetëm te sjellja juaj”, thekson ai.

Fjalët boshe nuk kanë shumë vlerë nëse personi tjetër nuk fiton përshtypjen se gabimi nuk do të përsëritet.

“Duhet t’i ofroni personit tjetër dëshmi se keni mësuar diçka, se ka ekzistuar një rrethanë e përkohshme që nuk do të përsëritet, ose të paktën se do të jeni më të kujdesshëm herën tjetër”, këshillon psikologu.

– “Mendoj se ndihesha e pasigurt dhe kjo ishte mënyra ime për t’u përshtatur. Nuk do ta lejoj të përsëritet.”– “Nuk ka justifikim. Gjithçka kishte të bënte me mua dhe ndjenjën se nuk po merrja mjaftueshëm vëmendje.”– “Mbrëmë isha shumë me nxitim dhe nuk po i kushtoja vëmendje. Do të filloj ta shkruaj që të mos harroj më.”

3. Empatia – fokus te dhimbja e tjetrit

Kërkimfalja e sinqertë kërkon të dilni nga vetja dhe të kuptoni dhimbjen e personit që keni lënduar.

“Nuk ka rëndësi si ndiheni ju për gabimin që keni bërë, por si ndihet personi që është lënduar”, shpjegon dr. Wexler.

Sipas tij, duhet të tregoni qartë se e kuptoni dhimbjen, ankthin ose mosbesimin që kanë shkaktuar veprimet tuaja.

“Tani e kuptoj sa shumë je lënduar dhe sa e vështirë është për ty të më besosh sërish”, është një nga mënyrat që ai rekomandon.

Ai shton se duhet ta dëgjoni dhimbjen e personit tjetër dhe t’i tregoni se kjo nuk do t’ju “rrëshqasë nga mendja”.

4. Ndryshimi i sjelljes – veprat flasin më shumë se fjalët

Prova përfundimtare e sinqeritetit nuk gjendet te fjalët, por te ajo që ndodh më pas.

“Të gjitha qëllimet e mira në botë nuk vlejnë asgjë nëse pala tjetër nuk sheh me kalimin e kohës se ju vërtet keni nxjerrë mësim nga gabimi”, thotë psikologu.

Ai thekson se nuk kërkohet përsosmëri absolute, por dëshmi se situatat problematike tani trajtohen ndryshe dhe më mirë.

Dr. Wexler paralajmëron për gabimet më të zakonshme që e shndërrojnë kërkimfaljen në farsë.

– “Më vjen keq që ndihesh kështu.”– “Më vjen keq nëse të lëndoi kjo.”

Sipas tij, shpesh e bëjnë personin tjetër të ndihet sikur po reagon tepër ose është tepër i ndjeshëm.

Fjalët mund të jenë të sakta, por mungesa e kontaktit me sy ose toni sarkastik e shkatërrojnë çdo kërkimfalje.

“Momenti perfekt nuk ekziston. Koha më e mirë për të kërkuar falje është sapo ta kuptoni se keni gabuar”, këshillon ai.

Shumë njerëz përpiqen të gjejnë gabime te partneri ose të kujtojnë raste kur pala tjetër ka bërë të njëjtën gjë, vetëm për ta larguar vëmendjen nga përgjegjësia e tyre.

Kërkimfalja nuk është vetëm shqiptim fjalësh, por proces që kërkon të dëgjoni personin tjetër.

“Duhet të jeni gati të përballeni me zemërimin dhe dhimbjen e partnerit”, thekson psikologu.

Një nga mësimet më të vështira është të kuptoni se kërkimfalja nuk garanton falje automatike.

“Ju mund të bëni vetëm përpjekjen më të sinqertë. Partneri mund të mos jetë ende gati të falë”, kujton ai.

Disa njerëz kërkojnë falje për çdo gjë, edhe kur nuk kanë bërë asgjë të gabuar.

“Kjo sjellje bëhet irrituese dhe i zbeh kërkimfaljet e vërteta”, përfundon dr. David Wexler.

Në fund, herën tjetër kur të gaboni, kujtojeni këtë: hiqeni “por”-in, jini të pranishëm dhe lërini veprat ta dëshmojnë me kohë sinqeritetin tuaj. /Telegrafi/