Më hidratues se uji, ekspertja zbulon pijen më të mirë për t’u konsumuar gjatë motit të nxehtë

shendetesi

Ndërsa moti i ngrohtë pritet të vazhdojë edhe gjatë kësaj dhe javës së ardhshme, një eksperte ka zbuluar se cila është pija më e mirë për t’u konsumuar gjatë vapës. Edhe pse shumica do të mendonin se është uji, për shkak të aftësisë së tij për ta mbajtur trupin të hidratuar në temperatura të larta, […]

Madhësia e shkronjave

Ndërsa moti i ngrohtë pritet të vazhdojë edhe gjatë kësaj dhe javës së ardhshme, një eksperte ka zbuluar se cila është pija më e mirë për t’u konsumuar gjatë vapës. Edhe pse shumica do të mendonin se është uji, për shkak të aftësisë së tij për ta mbajtur trupin të hidratuar në temperatura të larta, një mjeke thotë se ekziston një alternativë edhe më e mirë.

Dr. Natasha Fernando, drejtoreshë mjekësore në Medichecks, shpjegon se një pije e caktuar “mund të jetë më hidratuese se uji”. Bëhet fjalë për qumështin, i cili, falë përmbajtjes së sheqernave, proteinave dhe yndyrave, ngadalëson zbrazjen e lëngjeve nga stomaku.

Kjo bën që organizmi të mbetet i hidratuar për një periudhë më të gjatë.

“Shumë ndërtesa në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë të përshtatura për të përballuar temperaturat ekstreme, ndaj është më e rëndësishme se kurrë të kujdeseni për nivelin e hidratimit gjatë periudhave me vapë,” tha mjekja për Metro. “Megjithatë, nuk është e nevojshme të mbështeteni vetëm te uji për të përmirësuar hidratimin”.

Ekspertja shtoi se qumështi përmban gjithashtu natrium, i cili ndihmon trupin të mbajë ujin për më gjatë, duke përmirësuar nivelin e hidratimit.

Ajo zbuloi edhe se cili lloj qumështi është më i përshtatshëm për t’u konsumuar gjatë një vale të nxehti. Sipas saj, “qumështi i sojës përmban gjithashtu elektrolite, të cilat ndihmojnë edhe më shumë në rihidratimin e organizmit.”

Përveç qumështit, ajo rekomandon edhe pije si uji i kokosit dhe lëngu i kastravecit, të cilat ndihmojnë trupin të qëndrojë i freskët gjatë motit të nxehtë. Ndër ushqimet më të rekomanduara prej saj janë edhe frutat dhe perimet me përmbajtje të lartë uji, si shalqiri dhe kastraveci.

Faqja zyrtare e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar (NHS) rendit simptomat e dehidratimit, të cilave duhet t’u kushtohet vëmendje. Ndjenja e etjes, urinimi më i rrallë se zakonisht, marramendja ose ndjesia e të fikëtit janë disa nga shenjat më të zakonshme.

Simptoma të tjera përfshijnë lodhjen, tharjen e gojës, buzëve dhe gjuhës, sytë e futur, si edhe urinën me ngjyrë të verdhë të errët ose me erë të fortë. Këto janë shenja që tregojnë se organizmi ka nevojë për më shumë lëngje, qoftë ujë apo qumësht.