A ka meritokraci në politikën shqiptare?

opinion

Është një nga pyetjet më të shpeshta që u bëhet politikanëve dhe që merr një prej përgjigjeve më të shpejta prej tyre, gati instinktive, nga ato që në fakt tregojnë një mungesë të thellë mendimi. Jo – thonë të gjithë – nuk ka meritokraci në politikën shqiptare. Me bindje, me emra, jepen shembuj njerëzish të […]

Madhësia e shkronjave

Është një nga pyetjet më të shpeshta që u bëhet politikanëve dhe që merr një prej përgjigjeve më të shpejta prej tyre, gati instinktive, nga ato që në fakt tregojnë një mungesë të thellë mendimi.

Jo – thonë të gjithë – nuk ka meritokraci në politikën shqiptare. Me bindje, me emra, jepen shembuj njerëzish të ditur që janë anashkaluar, njerëz me vlera që janë harruar. Përballë jepen emra të cilët, sipas tyre, nuk e meritojnë promovimin e tyre politik.

Deri dje, deri diku edhe unë mendoja se në politikën shqiptare nuk ka meritokraci. Pastaj u njoha me librin e Pëllumb Nakos, Indi social i Shqipërisë, leximin e të cilit ia këshilloj çdo personi që kërkon të kuptojë fenomenet që përshkojnë shoqërinë tonë.

Ndër vite jam munduar të zhvilloj idenë se në Shqipëri ekziston një hendek midis shtetit formal dhe shtetit real, shtetit në letrat zyrtare dhe atij brenda të cilit ne jetojmë. Këtë dallim e kisha analizuar duke u nisur nga pasojat e sistemit komunist në shoqërinë tonë dhe në veçanti në marrëdhënien që kjo e fundit ushqen me shtetin apo administratën.

Pëllumb Nako e ka çuar analizën shumë më larg duke zhvilluar një teori të plotë, që shpjegon ndërveprimin e trupit social me gjënë publike dhe me atë private. Ai e ndjek rrënjën nëpër çdo sistem politik që ka prekur Shqipërinë, deri tek Perandoria Osmane dhe marrëdhënia e saj me të drejtën zakonore, me prevalencën e marrëdhënieve private për të rregulluar atë që në fakt duhet të ishin çështje publike të përbashkëta. Gati në çdo kohë, vendi ynë ka njohur një sistem dual: dy sisteme vlerësimi që jetojnë bashkë, shpesh pa e ditur njëri për tjetrin.

Kjo teori ndihmon, e vetme, për të kuptuar dhe shpjeguar një numër të madh keqfunksionimesh dhe keqkuptimesh që ekzistojnë sot në Shqipëri. Një prej tyre është pikërisht keqkuptimi mbi ekzistencën apo jo të meritokracisë në politikën shqiptare.

Kur pyetet “a ka meritokraci?”, pyetjes i jepet automatikisht kuptimi që shteti i shtyrë nga presioni i mimetizmit me perëndimin, është munduar të imponojë nëpërmjet ligjeve dhe akteve të tjera publike: ngjitja hierarkike mbi bazën e arritjeve profesionale, akademike, teknike. Ky është përkufizimi i Shqipërisë formale.

Sigurisht, kur pyetja shtrohet në një rrafsh, atë të Shqipërisë formale, dhe përgjigjet në një tjetër, atë të Shqipërisë reale, përgjigja e vetme është krijimi dhe ushqimi i një keqkuptimi të përhershëm.

Në Shqipërinë reale, siç e ka përshkruar në mënyrë të shkëlqyer Pëllumb Nako, të frymëzuar thellë nga e drejta zakonore, nga funksionimi klanik, nga prevalenca shekullore e marrëdhënieve private mbi ato publike, merita njihet. Por njihet me kritere të tjera.

Sistemi i vlerësimit nuk është i njëjtë. Ajo që një person duhet të tregojë që të vlerësohet dhe të meritojë njohjen nëpërmjet promovimit është besnikëria ndaj një apo disa personave, sakrifica për familjen e vet, mos vënia në dyshim e piramidës hierarkike, zbatimi i urdhrave. Është sistem i qëndrueshëm, i trashëguar, i internalizuar gjatë shekujve.

Pra, përgjigja e vërtetë është një paradoks: në politikën shqiptare ka meritokraci të plotë, por përkufizimi i meritokracisë krijon një thyerje midis asaj që duam të jetë dhe asaj që është në të vërtetë.

Merita nuk matet me diplomë apo ekspertizë, matet me besnikëri dhe angazhim. Kur dikush ankohet se “promovuan të paditurin”, ai në fakt po thotë: “Sistemi i vlerësimit që po zbatohet nuk është ai që unë mendoj se duhet zbatuar”. Dhe ka të drejtë, por duhet ta emërtojë saktë.

Këtë emërtim të saktë, sot shumica e qytetarëve e kanë të pamundur sepse ky vlerësim ndodh në subkoshiencën e tyre. Njerëzit nuk zgjedhin me vetëdije të vlerësojnë besnikërinë ndaj një personi mbi kompetencën apo besnikërinë ndaj një kauze. Thjesht e bëjnë, sepse sistemi i brendshëm i vlerave ka rrënjë shumë më të thella se çdo ligj i shkruar pas vitit 1991. Edhe ata që ankojnë mungesën e meritokracisë, nuk e kuptojnë se vendimmarrja e tyre zbaton pikërisht atë sistem që kritikojnë te të tjerët.

Çfarë duhet bërë? Puna e parë dhe më e vështira është ndërgjegjësimi. Duhet ta kuptojmë dhe ta emërtojmë realitetin ashtu siç është, pa turp dhe pa iluzione. Pastaj duhet të punojmë për të njehsuar në mënyrë progresive përkufizimin e meritokracisë, duke zhvendosur forcën e rëndesës nga Shqipëria reale drejt asaj formale.

Meritokracia në politikë duhet të matet, së pari, sidomos në kushtet e regjimit autokratik në të cilin ndodhemi nga aftësia për të fituar mbështetje popullore, për të lexuar terrenin, për të bindur dhe mobilizuar.

Kjo qasje duhet të shoqërohet me një ndarje efektive të burimeve njerëzore: funksionari i shkëlqyer të jetë drejtor i përgjithshëm, jo kandidat për deputet; besnikëria e thellë të shpërblehet me role të brendshme, jo me platformë publike; secili në vendin ku “merita” e tij, me çfarëdo kuptimi, prodhon më shumë.

Kjo është një nga detyrat më të vështira që na pret në ndërtimin e një strukture fituese: të mësojmë të flasim gjuhën e Shqipërisë reale, ndërkohë që punojmë pa pushim për të ndërtuar Shqipërinë formale. /Artikull shkruar në kuadër të Laboratorit të Ideve të Departamentit “Brain Gain”/