Zhvillimet ndërkombëtare dhe krizat gjeopolitike kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në vendet e vogla, përfshirë Kosovën, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe në stabilitetin e përgjithshëm.
Kështu vlerëson ish-ambasadori i Kosovës në Japoni dhe njohësi i çështjeve gjeopolitike, Leon Malazogu, në një diskutim në “Përballje Podcast” në Telegrafi me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Sipas tij, vendet e vogla nuk kanë luksin të injorojnë zhvillimet globale, pasi efektet e tyre ndihen menjëherë në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Për vendet e vogla nganjëherë duket se nuk kemi luks të merremi me tema ndërkombëtare, por duhet të merremi më shumë me to sesa vendet e mëdha, sepse ne afektohemi menjëherë”, tha Malazogu shkruan Telegrafi.
– YouTube www.youtube.com
Ai theksoi se krizat ndërkombëtare, konfliktet dhe tensionet gjeopolitike shpesh reflektohen në ekonomi dhe në çmimet e energjisë, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në vendet që nuk janë pjesë e konfliktit.
“Nëse rritet çmimi i naftës, kjo ndikon menjëherë edhe në çmimet dhe në jetën tonë”, u shpreh ai.
Sipas Malazogut, luftërat dhe tensionet në rajone strategjike si Lindja e Mesme mund të ndikojnë në tregjet globale të energjisë, në stabilitetin ekonomik dhe në politikën ndërkombëtare, gjë që përkthehet në pasoja edhe për vendet e vogla.






