Kryeministri i ardhshëm i Hungarisë, Peter Magyar, ka emëruar Marton Mellethei-Barna si ministër të Drejtësisë, një vendim që ka nxitur kritika për shkak se ai është vëllai i bashkëshortes së Magyarit.
Ky emërim është kritikuar veçanërisht nga anëtarët e partisë Fidesz, e cila pritet të kalojë në opozitë dhe ka qenë në pushtet për 16 vjet, deri në fitoren e Magyarit në zgjedhjet e mbajtura në prill.
Përballë kritikave, Magyar është deklaruar në rrjetin social X, ku ka publikuar një video duke mbrojtur emërimin e vëllait të bashkëshortes së tij në këtë post.
“Ministri i ardhshëm i Drejtësisë ka një karrierë të padiskutueshme vendore dhe ndërkombëtare, punë me cilësi të lartë dhe një vizion të qartë. Ai ka qenë pjesë e lëvizjes sonë për ndryshimin e regjimit që nga fillimi, duke formësuar dhe udhëhequr aktivitetet dhe programin tonë. Shumë kohë pasi iu bashkua komunitetit tonë, ai lidhi jetën e tij me jetën e motrës sime. Për këtë arsye, e konsideroj veçanërisht të rëndësishme që puna e tij të jetë sa më publike dhe të gjitha vendimet e tij të jenë transparente”, tha Magyar.
Ai shtoi se fakti që ata janë të lidhur në nivel personal, pra që Mellethei-Barna është i martuar me motrën e tij, ka qenë një “dilemë e veçantë”, por megjithatë ka vendosur për këtë emërim.
Megjithatë, ai theksoi se motra e tij, e cila ka qenë gjyqtare, do të pezullohet nga sistemi gjyqësor për shkak të “shqetësimeve të kuptueshme”.
Mellethei-Barna është avokat dhe koleg universitar i kryeministrit të ardhshëm të Hungarisë. Ai ka qenë një nga dhjetë themeluesit e partisë Tisza në vitin 2020 dhe ka shërbyer si drejtor ligjor i partisë.
Ai gjithashtu ka mbajtur një sërë funksionesh të tjera brenda partisë që kërkojnë ekspertizë juridike, si drejtimi i nënnjësive të ndryshme ose përfaqësimi i partisë. /Telegrafi/






