Mbrojtësi i Kosovës, Lumbardh Dellova, është shumë pranë largimit nga CSKA Sofia dhe transferimit te skuadra turke Amedspor.
Sipas raportimeve, klubi nga Diyarbakiri ka vendosur të paguajë klauzolën e lirimit të futbollistit, e cila kap vlerën e 950 mijë eurove.
Amedspor, që së fundmi ka siguruar promovimin në elitën e futbollit turk, thuhet se ka arritur marrëveshje edhe me Dellovën për kushtet personale.
Mbrojtësi 27-vjeçar ndodhet tashmë në Turqi, ku pritet t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore para nënshkrimit të kontratës. Zyrtarizimi i transferimit mund të bëhet gjatë të premtes.
Dellova kishte qenë duke u rikuperuar nga një lëndim dhe iu bashkua përgatitjeve të CSKA-së vetëm rreth një javë më parë, por nuk pritet të ketë pengesa në ekzaminimet mjekësore.
Reprezentuesi i Kosovës iu bashkua klubit bullgar në korrik të vitit 2024 dhe ka zhvilluar 69 ndeshje me fanellën e CSKA Sofia. Gjatë kësaj periudhe ai ka realizuar katër gola dhe ka dhuruar dy asistime.
Nëse marrëveshja finalizohet, Amedspor do të këtë shqiptarin e tretë nga Kosova në skuadër, pas Florent Hasanit dhe Ermal Krasniqit, ndërsa flitet që edhe portieri Amir Saipi pritet të bashkohet me klubin kurd.
Trajner po ashtu është emëruar legjenda shqiptare e futbollit, Besnik Hasi, i cili do t’i prijë klubit turk për sezonin e parë në Superligë. /Telegrafi/






